VLEN: Bujar Osmani, kalorësi i fundit i Nikolla Gruevskit
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,
Gënjeshtrat e Bujar Osmanit kanë kaluar çdo kufi, e vërteta tashmë nuk mund të fshihet.
Është bërë krejtësisht e qartë se gjatë gjithë karrierës së tij politike, Bujar Osmani jo vetëm që nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet e dhëna, por ka përdorur vazhdimisht gënjeshtra dhe manipulime për të mashtruar qytetarët shqiptar.
E para, Bujar Osmani gënjeu lidhur me takimin me ish-kryeministrin Nikola Gruevski. Ai publikisht e mohoi një gjë të tillë, ndërkohë që tashmë ekzistojnë dëshmi të qarta që e vërtetojnë të kundërtën.
E dyta, ai gënjeu për kontaktet e tij me udhëheqësit shtetërorë të Serbisë. Janë dokumentuar të paktën 11 takime, për të cilat ai asnjëherë nuk ka informuar opinionin publik apo ka dhënë llogari për përmbajtjen e tyre.
E treta, Bujar Osmani gënjeu për çështjen e hyrjes së kapitalit serb në sektorin e telekomunikacionit në Maqedoni. Pikërisht gjatë mandatit të tij u dha leja për hyrjen e kompanisë MTEL, e cila sot është aktive në tregun maqedonas.
E katërta, ai vazhdimisht gënjeu për ndërtimin e rrugës drejt pikës kufitare në Bllacë. Ky projekt u shndërrua në premtim të përsëritur në çdo fushatë
VLEN kërkon përgjigje publike:
Pse Bujar Osmani refuzon të japë shpjegime për personat dhe interesat që qëndrojnë pas hyrjes së kapitalit serb në fushën e telekomunikacionit dhe industrisë së lojërave të fatit në vend?
A kanë lidhje vizitat e shpeshta të tij në Serbi me këto marrëveshje të dyshimta?
Nuk është rastësi që Bujar Osmani ishte një nga zërat më të zëshëm në përkrahje të nismës së shumëkritikuar “Ballkani i Hapur”, një projekt që fuqizoi më tej ndikimin e Beogradit në rajon dhe dëmtoi pozicionin politik e ekonomik të shqiptarëve.
VLEN rikujton se këto nuk janë raste të veçuara, por një model i qëndrueshëm dhe i rrezikshëm i sjelljes politike të Bujar Osmanit.
Ai nuk është viktimë e rrethanave, është pjesëmarrës aktiv dhe i vetëdijshëm në këto zhvillime.
Sot, ai përfaqëson më shumë interesat e Gruevskit, Mijallkovit dhe Beogradit sesa ato të qytetarëve shqiptarë. Ai është shndërruar në një zëdhënës dhe zbatues të urdhrave të Ali Ahmetit dhe strukturave të vjetra të pushtetit.
Shqiptarët meritojnë përgjigje të qarta dhe përgjegjësi të plotë, jo gënjeshtra të reja.
Prandaj, VLEN i bën thirrje Bujar Osmanit që të përballet me të vërtetën:
Të pranojë përgjegjësinë për veprimet e tij dhe të tërhiqet nga jeta politike, ose të mbetet përgjithmonë i njohur si figura që punoi me vetëdije kundër interesave të popullit shqiptar dhe në dobi të qarqeve që e kanë dëmtuar rëndë shtetin.