*Me moton “1 vit punë, dinjitet dhe ndryshim”, krerët e koalicionit VLEN, të shoqëruar nga funksionarë partiak të nivelit qendror e lokal, shënuan njëvjetorin e qeverisjes. Liderët e koalicionit VLEN, përveç theksimit të arritjeve, dërguan porosi të ashpra ndaj oponentëve të tyre, duke i cilësuar si kor i fabrikimeve, dezinformatave dhe shpifjeve. Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike theksoi që BDI-ja pasi humbi pushtetin shpalli luftë ndaj çdo arritje të VLEN-it, ndërsa Bilall Kasami nga Lëvizja BESA theksoi që ata që kanë tentuar të njollosin suksesin janë ulur në prehrin e BDI-së.
“Kur shqiptarët kërkonin ndonjë vend pune ata bënin pazare ndër tavolina, kur qytetarët kërkonin drejtësi ata e shisnin atë për vota e favore. Kur prindërit kërkonin çerdhe për fëmijët e tyre, ata hapnin kazino për klientelën e tyre dhe kur humbën pushtetin nuk bënë reflektim, por shpallën luftë ndaj çdo arritje tonën”, tha Izet Mexhiti, kryetar i LD.
“Për fat të keq kishte edhe nga ata që tentuan diçka të tillë, por nuk u lejuan, prandaj sot qëndrojnë në prehrin e miqve të tyre që i përkasin të njëjtit mentalitet të veprimit. Edhe pse kundërshtarët tanë si ata të jashtëm, ashtu edhe ata që i kishim brenda qeverisë tentuan që me veprimet kontrabandeske dhe joetike të njollosin çdo sukses tonin, nuk ja dolën”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA .
Krahas porosive ndaj BDI-së, kishte edhe porosi ndaj Arben Taravarit, i cili e nisi rrugën me VLEN-in, por përfundoi në bisedime për koalicion me Ali Ahmetin.
“Të fundin ishin ata dy siç i quajta unë doktori dhe pacienti, të cilët nisën fushatë dorë për dore në çarshinë e Shkupit duke mbështetur rehabilitimin e Aliut dhe të rrjetit të tij të hajnisë dhe tradhtisë 22-vjeçare mu ashtu siç e kemi pritur”, tha Arben Fetai, Aleanca për Shqiptarët.
“Është për të ardhur keq kur politikanë me përvojë fshinë moralin politik dhe integrohen në struktura që vetë i kanë luftuar. Por sot VLEN nuk ka qenë kurrë më i bashkuar, më i vendosur, më harmonik dhe më i fuqishëm edhe duhet me thënë mashallah këtu”, theksoi Bekim Qoku, Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërkohë, kreu i Alternativës Zeqirija Ibrahimi theksoi që VLEN ka zgjidhur problemet që BDI-ja s’ka pasur fuqi t’i zgjidh, duke përmendur shkollën e Nerovës, Medresenë apo kampusin universitar.
“Ideja për universitet shqiptar ka qenë e vjetër, por takati i atyre që kanë qenë para nesh ka qenë deri te ndonjë qendër tregtare ose lokal kazinoje. Andaj nuk kanë mundur të mbajnë më shumë, por qeveria jonë ka vendosur të mbajë më shumë tridhjetë e katër milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar Nënë Tereza në Shkup”, shtoi Zeqirija Ibrahimi, kryetar i Alternativës./Alsat.mk