Shkrimtari dhe gjuhëtari i njohur nga Struga, Agim Vinca, i cili jeton dhe vepron në Prishtinë, ka shprehur shqetësimin e tij për shkak të tensioneve që ka vërejtur në komunat me shumicë shqiptare gjatë qëndrimit të fundit në vendlindje, shkruan Gazeta Lajm.
Për këtë arsye ai apelon jo vetëm te struganët, por edhe te gjithë shqiptarët në Maqedoni, që të mos votojnë për interesa individuale, por të votojnë për kandidatët më të mirë.
“Gjatë një qëndrimi në vendlindje, këto ditë, midis dy rundeve të votimeve për zgjedhjet lokale, hetova një tension të paparë.
Ky tension hetohej jo vetëm në marrëdhëniet mes njerëzve, por edhe në ajër.
Mu për këtë votimet e datës 29 tetor për kandidatët që shkojnë në balotazh i pres me ankth.
Tension ka në të gjitha komunat me shumicë shqiptare, por veçanërisht në Strugë.
Struga, si shumë herë të tjera, edhe kësaj radhe, po tregohet pikë nevralgjike.
Këto zgjedhje janë edhe një sprovë për shqiptarët në Maqedoni dhe elektoratin e këtij vendi në përgjithësi.
Dilni në votime, ruani qetësinë, votoni me përgjegjësi.
Tregoni dinjitet e pjekuri.
Votoni kandidatët e verifikuar!
Ju e dini mirë cilët janë ata dhe çfarë kanë bërë për ta merituar besimin tuaj.
Ngrihuni përmbi inatet personale dhe interesat meskine.
Mos bini pre e provokimeve, që çojnë ujë në mulli të tjetërkujt.
Fitorja që arrihet pas konfliktesh e incidentesh është fitore e Pirros.
Nuk na duhen fitore të Pirros!
Nuk është turp të humbësh në jetë (dhe në politikë), turp është të fitosh pa meritë”, thekson profesori Agim Vinca, në një deklaratë të shkruar që ka dërguar deri te Gazeta Lajm.