Shumë dokumente qytetarët ende nuk mund t’i marrin në dy gjuhë edhe pse Ligji për Përdorimin e Gjuhëve tashmë dy vite është në fuqi. Vërtetimi i shtetësisë, dokument që e jep Ministria e Punëve të Brendshme, ofrohet vetëm në Gjuhën Maqedonase. Nga dikasteri në fjalë thonë se së shpejti ky dokument do të jetë edhe në Gjuhën Shqipe, mirëpo nuk përgjigjen se përse diçka e tillë nuk është bërë më parë.
MPB-ja ka miratuar një Rregullore për mënyrën e mbajtjes së evidencës së qytetarëve dhe formularët që aplikohen ose lëshohen. Në rregullore ekziston një lloj i ri i formularit i vërtetimit të shtetësisë në gjuhën maqedonase dhe shqipe (Formulari Nr. 4a). MPB-ja së shpejti do të lëshojë të njëjtin në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe – njoftojnë nga MPB-ja.
Përveç kësaj, qytetarët që aplikojnë në gjykatë për të marrë vërtetim se nuk janë të gjykuar dhe nuk ndiqen penalisht, kërkesën duhet patjetër ta plotësojnë në gjuhën maqedonase, sepse përndryshe e njëjta nuk pranohet. Drejtori i Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve, Fatmir Iseni, thotë se Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve nuk është në gjendje ligjore të mbikëqyrë zbatimin e plotë, sepse është akoma në procesin e licencimit të inspektorëve. Edhe pse ky Institucion është përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Ligjit të Gjuhëve, Iseni i shmanget përgjegjësisë.
Të gjitha Institucionet kompetente duhet të harmonizohen dhe të zbatojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Pse një Institucion nuk është harmonizuar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe pse Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk zbatohet dhe respektohet prej tyre. Ju udhëzojmë që këtë pyetje t’ia drejtoni personi udhëheqës përkatës të institucionit konkret. Nga të dhënat në ueb faqet e institucioneve mund të përfundojmë se institucionet filluan me harmonizimin, por jo edhe me zbatimin e plotë të dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve – tha Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit të Gjuhëve.
Dy vite pasi Ligji për Përdorimin e Gjuhëve hyri në fuqi, asnjë Institucion nuk është sanksionuar për mosrespektmin e dygjuhësisë, ashtu siç parashikojnë dispozitat ligjore. Pavarësisht se ka kaluar një vit nga formimi i tij, Inspektorati i cili duhet të monitorojë respektimin e Gjuhës Shqipe nëpër institucionet qendrore dhe lokale nuk po kryen funksionin e tij, sepse inspektorët duhet fillimisht të përfundojnë trajnimet 12 mujore.
Evi Shkopi