Në moshën 79 vjeçare ka vdekur gruaja e veprimtarit Adem Demaçit, Xhemajlije Hoxha Demaçi.
Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një statusi në Facebook, një nga familjarët e Adem Demaçit, Gëzimi, i cili ka thënë se ajo ishte një nënë e madhe.
“Lamtumirë tezja Xhemajlije. Ti ishe një Nënë e madhe, me gjithë ato vuajtje por nuk u dorëzove asnjëherë. Zoti të shpërbleftë me xhenet”, ka shkruar ai.
Ishte fillimi i viteve ’60-ta, kur Adem Demaçi, u martua me Xhemajlie Hoxhën. Por disa vjet pas martesës dhe lindjes së dy fëmijëve, Abetares dhe Shqiptarit, Demaçi arrestohet nga shteti i atëhershëm jugosllav.
Pos përcjelljes, marrjes në pyetje, diskriminimit Xhemajlien që punonte si mësuese në Prilluzhë të Vushtrrisë, e larguan nga puna.
Mësuesen e rrallë shqiptare e kthyen në pastruese në të njëjtën shkollë. Por gruaja e atdhetarit të madh nuk u dorëzua. Ajo vazhdoi t’i rrisë fëmijët derisa Demaçi po vuante dënimin “për veprimtari armiqësore” kundër Jugosllavisë.