Para ca kohe është mbyllur konkursi për punësimin e mbi 39 personave në Shoqatën Aksionare për Ndërtim dhe Menaxhim të Hapësirës Afariste.
Edhe pse bëhet fjalë për shoqatë aksionare shtetërore, gjatë këtij konkursi nuk është përfillur fare parimi për përfaqësim adekuat. Përkundrazi, ky parim në rastin në fjalë është shkelur me të dy këmbët. Nga 39 të punësuarit e pranuar, vetëm 3 janë shqiptarë edhe atë dy me vendime pune, kurse një me kontratë në vepër, mëson Gazeta Lajm. Që të jetë skandali më i madh, drejtori i Shoqatës, Kristijan Trajkovski, arsyetohet se ligji nuk e obligon të respektojë përfaqësimin adekuat, si një nga parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit.
“Edhe pse jemi në pronësi shtetërore, në këtë rast bëhet fjalë për Shoqatë Aksionare. Sipas Ligjit për funksionimin e shoqatave funksionare, neve nuk na obligon parimi për përfaqësim adekuat”, deklaroi Trajkovski për Gazetën Lajm.
Ai kërkoi që pyetjet lidhur me detajet tjera që kanë të bëjnë me konkursin, numrin e kandidatëve që kanë konkurruar dhe numrin e atyre që janë pranuar t’i nisim edhe në e mailin zyrtar të ndërmarrjes. Mirëpo sot deri në mbylljen e orarit të punës, nuk pati asnjë përgjigje shtesë.
Me këtë konkurs është thelluar diskriminimi i shqiptarëve në këtë Shoqatë Aksionare, ku edhe ashtu ka qenë mjaft i theksuar. Me këtë është rritur edhe nervoza te shqiptarët në ndërmarrje, deri në pikën e vlimit. Ata akuzojnë si fajtor drejtorin Kristijan Trajkovski. Ai nga radhët e PRSD-së, prandaj shqiptarët e kësaj Agjencie thonë se ka version ndaj shqiptarëve, që daton prej kohës kur PRSD ka qenë në koalicion me VMRO-DPMNE-në.
Në rast se nuk ndodh ndonjë përmirësim më i shpejtë i përfaqësimit të shqiptarëve në këtë Shoqatë Aksionare, atëherë do të gjejnë forma tjera për të shprehur revoltën.
Kohë më parë, mediumet raportuan edhe për diskriminimin që u është bë shqiptarëve me dekada nga kjo ndërmarrje, si gjatë ndarjes së banesave, poashu edhe përmes përmbaruesve.