Autoritetet policore nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova në mesditë njoftuan se është mbyllur plotësisht kalimi kufitar në pikën Bllacë – Hani i Elezit. Disa orë më vonë, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë njoftoi se është hapur përsëri kufiri.
“Ju njoftojmë se është hapur për qarkullim rruga nga PKK Hani i Elezit për Shkup”, njoftoi Qendra, pasi më herët kishte njoftuar qytetarët se kjo pikë është e pakalueshme.
Ata kishin sqaruar se zjarret e paraqitura në anën e Maqedonisë së Veriut kanë pamundësuar kalimin e veturave në këtë pjesë.
Njoftim të njëjtë ka dhënë edhe Policia e Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar nga qytetarët që të shmangin maksimalisht këtë rrugë.
“Informojmë se për shkak shpërndarjes se zjarreve në afërsi të Bllacës, plotësisht është ndaluar qarkullimi në drejtimin Stenkovec – Bllacë, në të dy drejtimet, ndërsa është mbyllur edhe kalimi kufitar në Bllacë”, kishte njoftuar në mesditë Policia e Maqedonisë së Veriut.