Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jovana Trençevska thotë se ka pasur takime konstruktive me pensionistët.
“Kemi pasur takime konstruktive me pensionistët në periudhën e kaluar. Sipas tyre standardi i jetesës dhe shuma e pensioneve janë sa për të mbijetuar.
Edhe unë jam dakord që pensionet më të ulëta janë të vogla. Megjithatë, shuma e pensioneve varet nga sa kemi kontribuar në sistemin e pensioneve gjatë jetës sonë të punës dhe nga kohëzgjatja e përvojës së punës. Nuk mund të barazojmë njerëzit që kanë punuar për 45 vjet dhe njerëzit që kanë punuar për 15 vjet.
Nuk mund të barazojmë njerëzit që kanë punuar në punë komplekse sepse ata kanë paga më të larta dhe njerëzit që kanë pagë minimale, sepse paga formohet sipas kompleksitetit të punës. Dhe ajo që investojmë në fondin pensional gjatë gjithë jetës sonë të punës, na kthehet me pensionet tona”, tha Trençevska për “TV21″.
Trençevska tha se kur është përdorur metodologjia e tanishme për rritjen e pensioneve, pensionistët nuk kanë qenë kundër.
“Në shtator nuk pritet rritje pensionesh me metodologjinë e re. Në mars të vitit të kaluar kur futëm metodologjinë e re dhe kur bëmë ligjet për sigurimin invalidor, asnjë pensionist nuk ishte kundër. Të gjithë pensionistët e mbështetën vendimin. Rritja e pensioneve vjen pas rritjes së kostos së jetesës, pas inflacionit, si dhe pas rritjes së pagës mesatare”, tha Ministrja.