Dje rreth orës 21.50 në autostradën B 138 në afërsi të Schlierbach të Austrisë, është shkaktuar një aksident i rëndë komunikacioni në mes të një autobusi dhe një veture tjetër, me ç`rast jetën e ka humbur një person, transmeton Express.
Sipas hetimeve të para policore, një vozitës 27-vjeçar nga Pfarrkircheni i Bad Hall, nga shkaqe ende të panjohura është përplasur me një veturë tjetër të anës së kundërt.
Atje përplaset edhe me një autobus që vinte nga ana tjetër e komunikacionit, i mbushur me 28 udhëtarë nga Maqedonia. Një shtetas austriak 25-vjeçar nga Gaflenzi ka qenë i ulur prapa në veturë dhe ka pësuar lëndime vdekjeprurëse. Vozitësi 27-vjeçar është lënduar rëndë dhe është dërguar në spitalin e Welsit.
Vozitësi i autobusit është lënduar në shkallë të pacaktuar dhe është dërguar për kontroll në spitalin më të afërt, shkruajnë mediat austriake, përcjellë portali „Shtegu.com“. Udhëtarët e tjerë të autobusit janë dërguar në njësinë zjarrfikëse në Kirchdorf prej nga është organizuar një autobus zëvendësues për të vazhduar udhëtimin. Rreth orës 01.00, autobusi ka vazhduar udhëtimin në drejtim të Maqedonisë.
Pastrimi i vendit të aksidentit ka shkuar me vështirësi të mëdha, ndërsa rruga ka qenë e bllokuar për disa orë të tëra.