Kryeministri Albin Kurti e ka konfirmuar se ka pasur kërcënime ndaj tij gjatë qëndrimit në Shkup. Sipas tij, kërcënimet kanë ardhur “nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar”, raporton Express.
Kurti ka thënë se nuk është i ndjerë i rrezikuar, vetëm tha se ka parë forca të shumta policore të cilët janë kujdesur për sigurinë gjatë mbledhjes ku ai mori pjesë.
“Unë kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë porsa erdha nga Shkupi këtu, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë që kishte shumë forca policore të cilët u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me këto partitë socialdemokrate”, ka thënë Kurti para gazetarëve.
Ndryshe, mediumi publik ka raportuar sot se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kërcënuar me vrasje.
Duke u thirrur në burime, RTK raportoi se institucionet e sigurisë në Kosovë menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka pasur përpjekje për vrasjen e Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.