Propozim-ligjin e Shtetësisë të koalicionit Aleanca-Alternativa do ta shqyrtojnë edhe ekspertët e Ministrisë së Brendshme. Më pas teksti do t’i dorëzohet kryeministrit Zoran Zaev për t’u hapur në fund rruga procedurës parlamentare. Zaev nuk e di si duket teksti i ri.
Nuk e kam pa tekstit. Ideja ishte t’i dërgohet MPB-së që atje ta shqyrtojnë ekspertët. Pasi ata të artikulojnë qëndrimin e tyre, drafti do të dërgohet edhe te kabineti im – tha Zoran Zaev, Kryeministër.
Opozita shqiptare është e gatshme. Në fundjavë teksti do të shqyrtohet me shërbimet e Komisionit Juridik-Ligjvënës për çështjet teknike që duhet harmonizuar përmes amendamenteve dhe më pas t’i dorëzohet grupit parlamentar të LSDM-së. Për shkak se anëtarët e përhershëm të këtij komisioni gjenden në izolim, deputetët e opozitës shqiptare kanë krijuar konkat online me qëllim përshpejtimin e procedurës. Në rast se gjatë fundjavës teksti i dorëzohet grupit parlamentar të Socialdemokratëve, javën e ardhshme nuk përjashtohet takimi përfundimtar mes liderëve Zaev-Sela-Gashi për të zyrtarizuar marrëveshjen mbi propozim-Ligjin për shtetësi. Ndonëse nuk janë ndarë hollësi, në rrethana jo zyrtare mësohet se i njëjti kryesisht i thirret dispozitave të ligjit për shtetësi nga viti 2004-2005. Në tekstin e ri do të përfshihet edhe një dispozitë e cila procedurat aktuale për shtetësi do t’i transferojë në praktikat e ligjit të ri.
Adrian Kerimi