Të dielën do të lëshohen rreth 280 persona nga i gjithë vendi të cilët ndodhen në Karantinë shtetëror në “Hotelin Drim” në Strugë. Atyre tashmë u janë dorëzuar dokumentet të cilat duhet ti plotësojnë para se të dalin nga izolimi dhe masat të cilat duhet ti respektojnë në ditët në vijim. Qytetarët të cilët ndodhen atje, thonë se deri më tani nuk u janë bërë testime për Covid 19. Eshref Maliqi nga Kumanova thotë se bashkë me djalin ndodhen në karantinë pasi janë kthyer nga Vjena, dhe sipas masave që u janë dorëzuar, do të duhet që edhe 14 ditë të qëndrojnë në vet izolim në shtëpi.
Jemi gati 10 ditë këtu në karantinë, asnjë analizë nuk na kanë bërë analiza a jemi të prekur nga virusi a jo. Si mendojnë të na lëshojnë në shtëpi pa na kontrolluar. Pas të na lëshojnë prej këtu edhe 14 ditë duhet të jem në vet izolim edhe në shtëpi pa asnjë far kontrolli. Vetëm atë ditë kur kemi arritur më 30.03.2020 vetëm temperaturën na kanë matur dhe asgjë tjetër. Vetëm na kanë marrë shënime a ankohemi nga diçka – tha Eshref Maliqi, nga Çerkezi i Kumanovës.
Ndërkohë nga Qeveria njoftojnë se tashmë i kanë vendosur rregullat e lëshimit në shtëpi për personat që ndodhen karantinë. Organi ekzekutiv njofton se personat e dal nga karantina duhet vetë ta sigurojnë transportin. Largimi i tyre do të bëhet gjatë orës policore në cilën do ditë të javës pas mbarimit të karantinës, me qëllim kontrollin më të lehtë të lëvizjes së tyre.
Personi që paraqitet për të transportuar personat që kanë qenë në karantinë shtetërore, kërkon miratimin nga Qeveria. Me dokumentin e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, personi mund t’i transportojë shtetasit që kanë qenë në karantinë deri në shtëpinë e tyre, pa hasur në pengesa. Ministria e Brendshme paraqet veturat të cilat transportojnë qytetarët – njoftojnë nga Qeveria.
Nga Qeveria njoftojnë se nuk lejohet transporti në grup, përveç rasteve familjare, të cilët vet izolimin do ta bëjnë në adresë të njëjtë. Pas lëshimit të karantinës personave do u bëhet edhe kontrolli i gjendjes shëndetësore. Ata të cilët do të lëshohen nga karantina, janë të detyruar të qëndrojnë në vet izolim 14 ditor. Aktualisht në karantinë shtetërore ndodhen rreth 2000 persona, vendime për izolim i janë dhënë rreth 3.000 personave ndërsa në vet izolim janë mbi 10.000 qytetarë.