Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kandidatët e tyre për zgjedhjet lokale do t’i shpalosin nga 15 korrik deri më 15 gusht. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari konfirmoi kandidimin e tij për edhe një mandat të Komunës së Gostivarit, edhe pse siç tha për këtë do të vendos partia. Më tej, Taravari tha se do të bashkëpunojnë me çdo parti serioze.
Arben Taravari, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa
“Aleanca për Shqiptarët së bashku me Alternativën as që diskutohet se do të ketë bashkëpunim me më shumë parti edhe me maqedonase edhe shqiptare edhe turke edhe rome, me të gjitha partitë të cilat kanë njëfarë kredibiliteti në komunat ku garojmë ne. N.q.s. e shohim të arsyeshme dhe e shohim se p/sh. Një parti politike liberal-demokrate në Gostivar ka një sasi të konsiderueshme të votave, as që do e kemi mëdyshje që të ulemi me to dhe ta kërkojmë përkrahjen e tyre”.
Sipas tij, LSDM-ja nuk dallon shumë prej regjimit të kaluar të Gruevskit. Për VMRO-në tashmë të reformuar, thotë se nuk kanë ndonjë përvojë, por mendon se ia vlenë t’i jepet shansë.
Për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë ishte deklaruar edhe LSDM-ja. Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se kandidatët e tyre për garën e zgjedhjeve lokale do t’i publikoj në gusht, megjithatë, nuk e përjashtoi mundësinë që disa të dihen edhe më herët, por e gjithë kjo sipas tij do të varet nga analizat që do t’i bëjnë për çdo kandidatë veçmas.
Listat me kandidatët në garë për qeverisjen e komunave në mandatin e ardhshëm në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, duhet të dorëzohen në gjysmën e parë të shtatorit.
Emine Ismaili /SHENJA/