Kroacia ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinalen e Botërorit të Rusisë, pas një fitore dramatike ndaj vendit organizator, Rusisë, ku kaloi vetëm falë gjuajtjeve të penalltive.
Një nga lojtarët që ka sakrifikuar më tepër te kroatët, ishte padyshim portieri Subasic.
Në çdo moment tjetër në karrierën e tij, ai do të kërkonte zëvendësimin pas tërheqjes muskulare që pësoi në minutat e fundit të lojës së rregullt.
Por jo në ndeshjen e djeshme ndaj Rusisë. Në përfundimin e takimit, portieri kroat është shprehur se ia ka kërkuar vetë stafit qëndrimin edhe për 30 minuta të tjera në fushën e lojës, madje shkon edhe më tej teksa thotë se do të luante edhe me një këmbë nëse do të ishte e nevojshme.
“I ndiej ende paksa dhimbjet e marra nga dëmtimi i djeshëm, por gjëja kryesore është që kemi shkuar më tej, gjithçka tjetër është e parëndësishme.
Isha unë ai që i thashë stafit që të mos më ndërronte dhe largonte nga loja. Do të luaja edhe me një këmbë nëse do të ishte e nevojshme, atë ndryshim duhet ta mbanim për dikë tjetër. Jam krenar, i kënaqur dhe i mbushur me lumturi, pasi jemi shkatërruar që të gjithë për të arritur këtu dhe tashmë kërkojmë edhe më tepër”, ka thënë Subasic.