Lindim Etemi (Struga Ekspres)
Struganët nuk reagojnë për asgjë, heshtja që flet shumë
Ka një thënie që thotë: “Heshtja është shpesh më e zhurmshme se britma”. Kur dikush thotë se “Struganët nuk reagojnë për asgjë”, nuk është vetëm një kritikë por është një pasqyrë e një shoqërie që ndoshta është lodhur, ose më keq, është mësuar të mos shpresojë.
Nuk mund të thuhet me siguri nëse kjo heshtje është produkt i apatisë, frikës, indiferencës, apo thjesht një strategji mbijetese. Por është shqetësuese kur një komunitet, me histori, kulturë dhe krenari si Struga, nuk ngre zërin kur duhet. Kur qyteti sheh padrejtësi, degradim, mungesë zhvillimi, ndotje të liqenit apo përbuzje politike dhe nuk reagon, lind pyetja; A kemi pranuar të bëhemi spektatorë të vetes sonë?
Reagimi nuk nënkupton gjithmonë protesta rrugësh. Ai nis nga diskutimi, nga mospranimi i normalizimit të së keqes, nga përfshirja qytetare në vendimmarrje, nga pyetjet që duhen bërë dhe nga refuzimi për t’u pajtuar me mediokritetin.
Struganët kanë qenë gjithmonë njerëz të urtë, por kjo nuk duhet të ngatërrohet me nënshtrim. Heshtja nuk duhet të jetë mënyrë jetese. Sepse kur nuk reagon për asgjë, në një moment, çdo gjë fillon të të ndodhë pa ty, dhe mbi ty.
Ndoshta është koha që Struga të zgjohet jo me zhurmë, por me vetëdije.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)