Wednesday, July 23, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionStruga ngriti burra të ditur, por politika shpërbleu maskarenjtë

Struga ngriti burra të ditur, por politika shpërbleu maskarenjtë

Nga Lindim Etemi-Struga Ekspres

Si një “skuth” nga Struga arriti majat e politikës në RMV!?

Nuk kishte vizion. Nuk kishte ide. As frymëzim, as guxim. Por kishte diçka që fatkeqësisht po vlen gjithnjë e më shumë në këtë kohë të prishur: mjeshtërinë për të rrëshqitur mes njerëzve si një hije pa u vënë re, pa trazuar, por gjithnjë duke përfituar.

Një “skuth” nga Struga,jo nga ata të maleve, por nga ata të zyrave, të kafeneve të thashethemeve, të telefonatave tinëzare dhe pazareve të nëndheshme, arriti të ngjitet në majat e politikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Jo sepse e donte vendin. Jo sepse kishte një mision. Por sepse mësoi lojën e shërbimeve të verbra, të përuljes ndaj më të fortit dhe të shpërfilljes ndaj më të drejtit. E njohu mirë ligësinë e sistemit dhe nuk pati asnjë problem të bëhet pjesë e saj.

E filloi me heshtje. Duke mos thënë asgjë, fitoi besimin e shumëkujt. Duke mos marrë qëndrime, kurrë nuk rrezikoi. Duke bërë sikur dëgjon, lëvizi pa zhurmë. Ndërkohë që të tjerët lodheshin për të ndryshuar diçka, ai lodhej duke llogaritur lëvizjen e radhës, jo për vendin, por për veten.

Ai nuk luftoi për qytetin e tij. Nuk ngriti zërin për padrejtësitë. Kur Struga zhgënjehej, ai qeshte me padijen e masës. Kur njerëzit humbnin, ai bënte llogari për përfitimet. Çdo hap që ngjiti lart, ishte një tradhti e vogël ndaj të tjerëve, dhe një përfitim i madh për veten.

Në fjalime, shfaqej i matur, me maskën e një njeriu të thjeshtë. Por pas dyerve të mbyllura, firmoste marrëveshje që nuk përfaqësonin askënd, veç veten. Ndërsa njerëzit prisnin drejtësi, ai bënte pazar me zërin e tyre. Ndërsa votat kërkonin zgjidhje, ai kërkonte vend në tryezat ku luhej me fatin e të tjerëve.

Pushteti për të ishte një qëllim, jo një përgjegjësi. Një trofe, jo një shërbim. Një mundësi për të mos qenë më “i zakonshëm”, por për të ulet mbi ata që dikur i injoronin.

E çfarë la pas? Asgjë për t’u kujtuar, veç një mori premtimesh të harruara, një qytet që s’e përmend më dhe një popull që e ndjen veten të tradhtuar. E megjithatë, ai ende ecën me kokën lart, sikur të kishte bërë diçka të madhe.

Dhe pyetja që mbetet është: si lejuam një skuth të ngjitej lart, ndërsa njerëzit me dinjitet mbetën në heshtje?
Ranë burrat me dinjitet, me dije dhe me vlera – dhe u ngritën hijet pa shtyllë kurrizore.

Përgjigjja është e thjeshtë dhe e hidhur: sepse në një shoqëri që nuk shpërblen vlerat, ngrihen vetëm ata që dinë të luajnë lojën e pistë.

Por mos të harrojmë: asnjë “skuth” nuk zgjat përgjithmonë. Historia nuk i mban mend ata që mashtruan për të fituar, por ata që qëndruan edhe kur u lanë mënjanë. Mbi këtë tokë, pushteti kalon,por turpi mbetet.

Struga ka pasur njerëz të mëdhenj. Dhe do t’i ketë sërish. Kur vlera të jetë më e fortë se frika, kur e vërteta të mos frikësohet nga karrigia, atëherë do të ringrihet edhe fjala, edhe vendi.

Sepse fundi i skuthit vjen atëherë kur guxon të flasësh.Lindim Etemi-Struga Ekspres

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments