I ashtuquajturi balotazh zgjedhor, në qytetin e paqes së humbur të Strugës, kësaj here ka vënë përballë njëri- tjetrit dy kandidatë shqiptarë. Që të dy kanë përvoja të gjata dhe të mjaftueshme politike, si në teatrot e fushatave zgjedhore ashtu edhe në participimet e koalicioneve/ të pasuksesshëm dhe kundërproduktiv , me partitë nacionionaliste dhe shoveniste sllave.
Është momenti i parë historik, që përvoja e secilit prej tyre, përpara vrapit për marrjen e pushteteve fiktive, kësaj here t’i kushtohet paqes dhe qetësisë të qytetit tonë të trazuar. Të dy kandidatët e nderuar e dinë shumë më mirë nga votuesit e rëndomtë, që pushtetet lokale, madje edhe ajo pjesë e pushtetit qëndror “e rezervuar” për shqiptarët s’mund ta ndryshojë pozitën tonë politike, përderisa s’kemi vullnet dhe guxim të mjaftueshëm për t’u përballur me origjinën e problemit. Por, kjo e fundit nuk është objekt i kësaj teme.
Është shqetësuese retorika e të dy “krahëve”, por më shqetësuese në këto ditë të “dyluftimit” të kandidatëve të nderuar, bëhet pjesëmarrja e militantëve të tyre nëpër faqet e portaleve. Fyerjet, sharjet (deri tek sharjet familjare) mund të “gërvishtin” ndonjë plagë dhe të na rikujtojnë, mos e dhëntë Zoti “Fitoren e Pirros”.
Kësaj here të gjithë qytetarët e Strugës pavarësisht “krahëve” që militojnë janë dhe duhet të ndjehen fitimtarë. Edhe do të jenë fitimtarë në qoftë se në çastin e shpalljeve të rezultateve, të dy kandidatët do të presin fituesin në mesin e qytetarëve të tyre.
Zoti ju bekoftë.
Lebit Murtishi