Në Maqedoni sot fillon viti i ri shkollor. Në bankat shkollore për herë të parë do të ulen mbi 20 mijë filloristë ndërsa në Strugë rreth 600 nxënës, derisa në shkollat e mesme janë regjistruar mbi 16 mijë nxënës. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi përmes një video-porosie uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, duke kërkuar bashkëpunim dhe përkushtim.
Ai përsëriti premtimin e tij se nga ky muaj rrogat në arsim do të rriten për 5%, duke nënvizuar se ky është vetëm fillimi.
Sipas tij, nxënësit e shkollës fillore për vitin e ri shkollor do të kenë të korrigjuara 22 tekste shkollore. Ndërsa, edhe më tej mbeten të pa korrigjuara librat e historisë dhe gjeografisë.
Po ashtu nxënësit e klasës së parë, të dytë dhe të tretë duke filluar nga ky vit do të pajisen me komplete librash tërësisht të reja, për shkak se tektet e vjetra për fëmijët shpesh ndikonin negativisht në motivimin për të mësuar.
Ministria e Arsimit është në përpilim e sipër të 31 teksteve shkollore të arsimit profesional, ndërsa në arsimin e mesëm do të korrigjohen edhe përmbajtjet e dy teksteve shkollore.
Për vitin e ri shkollor një lajm i ri do të jetë edhe transporti falas për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në qytetin e Shkupit, duke përfshirë edhe nxënësit që jetojnë në largësi prej 2,5 km nga shkollat e tyre.
Prindërit e filloristëve sot ditë të lirë
Me këtë rast të gjithë nëpunësit shtetëror u takon ditë e lirë nga puna, për të dërguar fëmijën në klasë të parë, pasi kjo e drejtë u garantohet me marrëveshjen kolektive. Nëse do të jenë të lirë nga puna dhe si do të lirohen, të punësuarit në sektorin privat, varet nga pronarët apo shefat e tyre.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale sqarojnë se në pajtim me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive në sektorin publik, punëtori ka të drejtë për një ditë të lirë në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor për fëmijën e tij. Ata theksojnë se kjo mungesë, si edhe rastet tjera familjare të pushimit të paguar për rrethana personale dhe familjare, realizohen pavarësisht nga kërkesa e procesit të punës. Marrëveshja kolektive në sektorin privat, thonë më tej nga kjo ministri, nuk përmban rregullativë ku parasheh ditë të lirë as për ditën e parë në shkollë e as në kopsht.