Statuti i ri i komunës së Strugës i cili në formën e draft- propozimit ishte vendosur për votim në seancën e fundit të këshillit komunal, mund të jetë mollë sherri mes partnerëve lokal të koalicionit BDI- LSDM. Me propozim-statutin në Strugë gjuha shqipe barazohet me maqedonishten, gjë që para disa viteve e hodhi poshtë gjykata kushtetuese pasi për këtë u ankua dega e VMRO-DPMNE-së në Strugë. Në versionin e ri në nenin 7 thuhet;
Neni 7 i propozim-statutit për Strugën
“Në komunë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik. Në komunë gjuhë zyrtare përkrah maqedonishtes dhe shkrimit të saj cirilik është edhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj- përkatësisht gjuha dhe shkrimi të cilin e shfrytëzojnë të paktën 20% e banorëve të komunës. Për përdorimin e gjuhëve dhe shkrimeve të cilat i shfrytëzojnë të paktën 20% e banorëve të komunës, vendos këshilli i komunës.
Nga LSDM-ja nuk konfirmojnë nëse do e mbështesin versionin e ri, ndërsa kryetari i komunës Ramiz Merko kërkon nga kjo çështje të mos bëhet politikë.
Si grup këshilltarësh do ta presim debatin publik, ne do kemi edhe mendime dhe propozimet tona- tha këshilltarja e LSDM-së Nikolina Velkoska
Nga VMRO-DPMNE thonë se nëse votohet propozim-statuti i këtillë, ata sërish do dorëzojnë nismë në Gjykatën Kushtetuese.
Me këtë, shumica e këshillit e përbërë nga BDI, LSDM dhe këshilltari Ilija Pejoski dëshirojnë në Strugë të vendosin dygjuhësi. Ne do të dorëzojmë parashtresë deri te Inspektorati për Vetëqeverisje Lokale dhe në Gjykatën Kushtetuese- tha këshilltarja i VMRO-DPMNE-së Alen Dereban.
Struga është komuna e vetme në vend e cila punon me statut të vjetër dhe pa rregullore pune. Statuti i ri duhet të përshtatet me ndryshimet e ligjit për vetëqeverisje lokale të vitit 2008 dhe 2011. Tani propozimi do shtrohet për debat publik, dhe për miratim eventual, nevojiten dy të tretat e votave, përkatësisht shumicë e Badinterit në komunën e Strugës.
Miki Trajkovski