Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, menjëherë pas raportimit, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit të qenit endacak të rënë nga kati i gjashtë i një objekti banesor në ndërtim në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë.
Janë zhvilluar biseda zyrtare me dy zjarrfikësit të cilët janë thirrur për kapjen dhe largimin e qenit nga objekti ku punëtorët po kryenin punimet e ndërtimit, si dhe me raportuesin dhe dëshmitarin okular të rënies së qenit. Në të njëjtën kohë, është konstatuar se nuk janë të sakta spekulimet se dikush e kishte shtyrë dhe hedhur qenin.
Vendi ku ka rënë është fotodokumentuar dhe pasi të jenë plotësuar të gjitha materialet zyrtare do të përgatitet raport me shkrim dhe do t’i dorëzohet prokurorit publik.