Masat kufizuese për disa zona do të varen më së shumti nga qytetarët, nga respektimi i masave, ka thënë kryeministri Oliver Spasovski pas takimit të sotëm koordinues të kandidatëve për deputetë për Njësinë zgjedhore 2 të koalicionit të LSDM-së në Kumanovë. Ai ka ftuar qytetarët që në mënyrë të vazhdueshme të respektojnë masat.
“Ne kemi paralajmëruar para disa ditësh se masa rigoroze ose kufizuese janë të mundura për disa zona të caktuara ku ka rritje të numrit të qytetarëve të infektuar. Kjo do të varet më së shumti nga qytetarët dhe respektimi i masave, ata që janë në izolim për shkak se janë kontakte të drejtpërdrejta nga dikush që është pozitiv në Kovid-19, duhet të mbeten atje dhe të respektojnë të gjitha masat. Sa më shumë të respektojmë masat aq më shumë do të kemi ulje të kufizimeve”, ka thënë Spasovski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse Qeveria mendon për vënien e masave rigoroze për disa zona ku ka numër më të madh të personave të infektuar.
Spasovski ka thënë se shteti, institucionet, sistemi shëndetësor, Komisioni për sëmundje ngjitëse kanë bërë gjithçka në periudhën e kaluar, janë miratuar vendime, janë bërë protokolle se si duhet të sillen qytetarët.
“Çdo ditë flasim se çka do të thotë përgjegjësi për shëndetin, çka nënkupton përgjegjësi për rrethin ku jetojmë. Më së paku që mund të bëjnë qytetarët është të respektojnë ato masa”, ka thënë Spasovski.
Nëse qytetarët i respektojnë masat, siç është distanca sociale, mbajtja e pajisjes mbrojtëse, thekson Spasovski, “nuk ka rrezik nga transmetimi i infektimit dhe rrezikimit të shëndetit dhe jetës”.