Nga e hëna Sektori për Punë të Brendshme në Ohër do të nisë bisedat informative lidhur me manifestimin e Shën Gjergjit në Strugë. Qeveria në mbledhjen e mbrëmshme kërkoi nga MPB-ja që t’i gjejë organizatorët dhe të procedohen penalisht. Kryeministri teknik, Oliver Spasovski kërkoi nga Kisha Ortodokse Maqedonase të mbaj përgjegjësi për veprimet e fundit, ndërsa BFI-së i bëri thirrje të shqyrtoj vendimin për hapjen e xhamive më 12 maj.
Nuk ka organizatë fetare dhe politike apo individ që mund të mos i respektojë vendimet e Qeverisë. Këto vendime janë mburojë e jetës së qytetarëve. I bëj apel ta shqyrtojnë vendimin për hapjen e xhamive, por edhe Kisha Ortodokse Maqedonase duhet të bëjë kujdes për lëshimet e shumta që i ka bërë së fundmi -deklaroi Oliver Spasovski, Kryeministër.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani thotë të kundërtën. Sipas tij, vendimi i BFI-së është e drejtë e tyre dhe duhet respektuar, ndërsa ritet fetare duhet zbatuar nën masat e rekomanduara.
Bashkërisht me kryetarin e BFI-së konstatuam se nëse në të ardhmen situata dhe numrat do të jenë ndryshe, ne do të ulemi dhe do ta rishqyrtojnë vendimin e tyre. Në këto kushte ata kanë marr një vendim dhe ne e mbështesim pasi është e drejtë e tyre, por kërkojnë të respektohen të gjitha masat gjatë kryerjes së riteve fetare – tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse nuk është diskutuar për situatën në Strugë dhe vendimin e BFI-së. Manifestimin dhe marshin e besimtarëve ortodoks në Strugë autoritetet e dënuan verbalisht ndërsa pushteti kërkoi përgjegjësinë e ministrit të Brendshëm, Naqe Çulev. Ndërkohë vendimin e Rijasetit të BFI-së për hapjen e xhamive Qeveria e cilësoi si vendim të përshpejtuar duke i kujtuar masat dhe ndalesat për grumbullime ne vende publike.
Adrian Kerimi