*Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe takimeve të presidentes Vjosa Osmani me liderët partiakë edhe kjo seancë e Kuvendit duket të jetë e njëjtë dhe pa zgjidhje.
Derisa Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, partitë tjera po konsiderojnë se Haxhiu nuk është unifikuese.
PDK dhe AAK ka kërkuar nga LVV ta ndërrojë kandidaten, ndërsa nga LDK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë asnjë emër të LVV për kryetare të Kuvendit.
Ndërkaq, një ditë më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një deklaratë për media lidhur me ngërçin politik në vend ka folur për mënyrën e votimit në Kuvendin e Kosovës.
Osmani deklaroi se votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, por kërkohet konsensusi i deputetëve.
“Votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë. Ky është interpretimi i ekipit tonë ligjor, por nuk do të thotë se të tjerët pajtohen me të”, tha e para e shtetit, raporton Telegrafi.
Presidentja Osmani tutje theksoi se nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja atëherë do t’i drejtohet Gjykatës me një kërkesë për sqarim për pasojat juridike.
“Kur diçka është e detyrueshme në aspektin kushtetuese kjo do të thotë se moskryerja e këtij detyrimi nuk ec pa pasoja, pra do të ketë pasoja juridike… nuk është që ne mund të presim që Gjykata do të thotë mirë pas 30 ditësh vazhdoni njësoj, takohuni çdo dy ditë dhe mos bëni asgjë”, tha ajo.
Presidentja tutje shtoi se partitë kryesore kanë ende qëndrime diametralisht të kundërta, por nuk do të thotë se brenda afatit nuk do të ketë afrim.