Krisma armësh, frikë, ankth, paqartësi. Kështu u zgjuan qytetarët e Kumanovës para katër viteve, më 9 maj të vitit 2015. Ngjarja ndodhi pikërisht tek Lagjja e Trimave, por trishtimi nga kjo ngjarje përfshiu gjithë territorin e shtetit, pasi nuk dihej saktë nëse nga luftimet e ashpra mes policisë dhe grupit, ka mbetur i vrarë edhe ndonjë civil. Gjithçka ishte mjegulli. As policia e as zyrtarët e lartë shtetëror nuk tregonin detaje mbi rastin. Kjo dhe linte hapësirë për lajme të rrejshme për gjoja civilë të vrarë, dhe në mesin e tyre edhe fëmijë.
Policia ishte aty me artilerinë më të rëndë që e kishte, duke luftuar gjoja një grup që ka dashur të shkaktojë një konflikt të ri në Maqedoni. Kjo lagje mbeti e bllokuar për dy ditë, më 9 dhe 10 maj, por shumëçka mbetet e paqartë edhe pas 4 vitesh. Nga kjo përleshje me armë humbën jetën 8 pjestarë të policisë dhe 10 nga grupi i armatosur. U plagosën 37 pjesëtarë të policisë dhe u shkatërruan mbi 25 shtëpi. Për rastin e Kumanovës u arrestuan dhe gjykuan 37 persona. Procesi gjygjësor zgjati dy vjet dhe prej 37 të akuzuarve për terrorizëm, vetëm katër persona u liruan nga akuza.
Ky proces gjyqësor ka qenë më i shtrenjti në Maqedoni, pasi policia për t’i sjellë të akuzuarit në gjykatë ka përdorur sigurim tepër të lartë, duke përfshirë edhe helikopterët. Megjithatë, edhe pas katër vjetësh enigma ka mbetur. Nuk u tregua si grupi ka hyrë pa u vërejtur në Maqedoni dhe përse policia nuk e ka ndalur grupin kur ka patur mundësi, pasi publikisht u tregua se grupi ka qenë nën masa të veçanta hetimi gjatë tërë kohës. Lënda për këtë rast aktualisht ndodhet tek Gjykata Supreme. /Shenja.tv