Shkupi sot me shumë aktivitete do të shënojë 59 vjet nga tërmeti katastrofik në vitin 1963, kur u zgjua nën rrënoja nën të cilat 1.070 persona e humbën jetën, ndërsa 3.000 u lënduan.
Tradicionalisht, para Monumentit të viktimave nga tërmeti katastrofik në Varrezat e qytetit në Butel, delegacione zyrtare, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë do të vendosin lule.
Tërmeti katastrofik në Shkup ka ndodhur më 26 korrik të vitit 1963 në orën 5:17 minuta, ndërsa lëkundje të vogla ka pasur deri në orën 5:43 minuta. U rrënuan 15.800 banesa, ndërsa u dëmtuan 28.000. Mbi 200.000 njerëz mbetën pa kulm mbi kokë.
Nga tragjedia e Shkupit gjithë bota u shqetësua dhe u angazhua. Kryqi i kuq ndërkombëtar apeloi tek të gjitha organizatat kombëtare që të organizojnë ushqime për fëmijët e Shkupit. Unioni ndërparlamentar rekomandoi tek të gjitha parlamentet dhe qeveritë që të ndihmojnë në rindërtimin e qytetit. Organizatat humanitare në shumë vende filluan të mbledhin ndihma për Shkupin. Kështu Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.
Kombet e Bashkuara menjëherë pas tërmetit morën aktivitete që në mënyrë të planifikuar dhe afatgjatë ta ndihmojnë qytetin e shkatërruar. Në kohën kur ekipe profesioniste nga KB-ja filluan të arrijnë në Shkup, në selinë e Organizatës ndërkombëtare është thënë se Shkupi do të jetë përmendore e solidaritetit njerëzor. Më 23 shtator të vitit 1963, 35 vende kërkuan nga Asambleja e përgjithshme të vendosë në rend dite të seancës së saj pikë për ndërmarrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup. Pas katër ditëve, më 27 shtator, Asambleja e Përgjithshme i dha prioritet aksionit ndërkombëtar për t’i dhënë ndihmë Shkupit.
Më 14 tetor, pas diskutimit dyorësh, Kuvendi i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara njëzëri miratoi Rezolutë për t’i dhënë ndihmë qeverisë jugosllave gjatë rikonstruktimit të Shkupit. Në Rezolutë shprehet keqardhje me rastin e katastrofës së madhe. Në debatin për dhënien e ndihmës për Shkupin, Asambleja e përgjithshme i dëgjoi parashtresat e mbi 20 vendeve nga të gjitha kontinentet. Ajo ditë mbeti në analet e Kombeve të Bashkuara si “Dita e Shkupit”. Historikisht, qyteti i Shkupit disa herë është rrëzuar dhe prej fillimit ka lindur.
Në hapësirën mes fshatrave Zlokuqan dhe Bardovcë ka ekzistuar qyteti i Skupit, metropol i provincës Dardania. Ky qytet, në vitin 518 ka qenë plotësisht i shkatërruar nga tërmeti. Atëherë në provincën Dardania janë shkatërruar 24 fortesa të qytetit. Forca e këtij tërmeti ka qenë 10-11 ballë. Tërmeti katastrofal plotësisht e ka shkatërruar Skupin. Gjatë kohës së dridhjes janë shkaktuar shumë plasje në tokë.
Nga kodrat për rreth janë shkëputur masa të mëdha me shkëmbinj. Shkupi më pas është ndërtuar në vendin e sotëm. Edhe qyteti i ri nuk është kursyer nga paraqitjet sizmike.
Tërmeti katastrofik ka ndodhur në vitin 1555. Intensiteti i tij ka qenë 10 ballë, pas çka qyteti për herë të dytë është shkatërruar.
Shkatërrimi i tretë dhe i fundit i Shkupit ndodhi para 59 viteve, më 26 korrik të vitit 1963, kur Shkupi ishte i goditur nga tërmeti me fuqi prej nëntë ballëve sipas shkallës së Merkalievit ose gjashtë sipas shkallës së Rihterit me epiqendër në sheshin “Maqedonia”.