Në vitin 2016 në Zvicër ishin lidhur 15.100 martesa me partnerë/e të huaj/a, ose më shumë se një e treta e të gjitha martesave të lidhura brenda vitit.
Numri i martesave të lidhura në Zvicër në mes të partnerëve zviceranë dhe të huaj, është dyfishuar gjatë 30 viteve të fundit. Por ndryshojnë preferencat sipas gjinive. Kështu, përderisa burrat zviceranë zgjedhin për partnere më së shpeshti gra gjermane, gratë zvicerane parapëlqejnë italianët për partnerë. Ndërsa burrat kosovarë janë në vendin e tretë të listës së preferencave martesore të grave zvicerane, ashtu siç janë edhe gratë kosovare në vendin e tretë të burrave zviceranë. Kjo del nga një studim i publikuar sot nga Zyra Federale për Statistikë (BfS), shkruan albinfo.ch.
Në vitin 2016 në Zvicër ishin lidhur 15.100 martesa me partnerë/e të huaj/a, ose më shumë se një e treta e të gjitha martesave të lidhura brenda vitit. Ndërsa martesat në të cilat të dy partnerët janë zviceranë janë pakësuar për rreth një të tretën gjatë këtyre 30 viteve duke rënë në 19.800 gjithsej.
Sipas studimit në Zvicër sot rreth 10 për qind të personave të martuar jetojnë në një partneritet binacional ose në një familje binacionale.
Çiftet ku burri është zviceran dhe gruaja, e huaj, vazhdojnë ta përbëjnë shumicën ndërsa në përgjithësi, pjesëtarët e të dy gjinive zgjedhin më shpesh partnerë/e nga Evropa, transmeton albinfo.ch. Kështu, burrat zviceranë favorizojnë gjermanet dhe pas tyre italianet dhe kosovaret. Francezet dhe serbet vijnë në radhë, në vendin e katërt dhe të pestë. Ndërsa, siç u tha më lart, edhe te gratë zvicerane kosovarët janë në vendin e tretë të përzgjedhjes së partnerit të tyre jetësor. Por të parët në këtë rast janë italianët dhe të dytët, gjermanët. Pas kosovarëve, në listën e të preferuarve të grave zvicerane vijnë francezët dhe turqit. Studimi mbështetet në të dhënat zyrtare të periudhës 2011-2016.