Ndryshimi i emrit kushtetues është sfidë e ardhshme e Maqedonisë prej të cilës varet anëtarësimi i saj në NATO dhe fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian.
Para samitit të ardhshëm të NATO-s lidershipi dhe akademia e shkencave maqedonase medoemos duhet t’i nënshtrohen rishikimit të historisë dhe identitetit të tyre. Në këtë drejtim edhe pala greke duhet të zbusë qëndrimin në procesin e negociatave të cilat deri më tani janë zhvilluar në Uashington, Athinë dhe Shkup.
Kontesti nuk është i lehtë, komplikimet shfaqen pasi që mungon baza, një normë e përcaktuar ku palët negociuese do t’i përqendronin interpretimet e tyre. E Drejta Ndërkombëtare nuk parasheh donjë dispozitë decidive se si rregullohet çështja e emrit apo emërimit të një shteti, por popujt kanë te drejtën që të zgjedhin emrin vete, kuptohet emër i cili buron nga kultura tradita dhe vlerat historike.
Bazuar në këtë fakt nuk kanë të drejtë as grekët dhe as maqedonasit, sepse nuk kanë ndonjë lidhje direkte me emrin Maqedoni.
Sidoqoftë deri më tani disa raunde negociatash mes diplomacisë maqedonase dhe greke janë zhvilluar dhe do të zhvillohen nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Në këtë cikël negociatash është për çudi dhe bie në sy një fakt, se si diplomacia maqedonase nuk përfshiu as edhe një përfaqësues të komunitetit etnik shqiptarë në këtë proces. Palë e cila do të kontribuonte shumë në zgjidhjen e problemit, sepse sipas fakteve historike në mënyrë direkte apo indirekte shqiptarët janë të lidhur më ngushtë me emrin sepse kanë jetuar në periudhën e shtetit të lashtë me emrin Maqedonia, përderisa maqedonasit as nuk kanë qenë prezentë në këto territore.
Sidoqoftë kjo situatë dëshmon vazhdimësinë e anashkalimit të shqiptarëve në proceset vendimmarrëse.
Shqiptarët në politikën e jashtme të Maqedonisë akoma shërbejnë vetëm si mekanizëm për të votuar marrëveshjet dhe deklaratat e “fqinjësisë së mirë” që hartojnë maqedonasit me vendet fqinje në prag të integrimeve euroatlantike.
Fatkeqësia është se edhe kur votojnë janë aq të papërgjegjshëm sa që nuk ndalen të interpretojnë apo së paku të lexojnë ligjin i cili është në procedur për tu votuar.
Sidoqoftë me apo pa shqiptarët Maqedonia në një periudhë të shkurtër kohore duhet të tejkaloj mosmarrëveshjet me Greqinë për kontestin rreth emrit, përndryshe ftesa për anëtarësim në NATO do të vonohet edhe për një kohë të gjatë.
Janë dhënë disa propozime për emrin e Maqedonisë. Ndaj Shkupit bëhen presione që të pranojë një emër të pranueshëm, ndërsa Athina të pranojë një formulë të dyfishtë.
Shikuar në aspektin kronologjik kontesti rreth emrit dhe marrëdhëniet me Greqinë për dy dekada me radhë kanë pasur rënie dhe ngritje. Republika e Maqedonisë pas pavarësimit të saj në vitin 1991 u ballafaqua akuzat e menjëhershme të fqinjit jugor Greqisë duke mohuar disa fakte historike të cilat rënduan marrëdhëniet fqinjësore mes dy vendeve. Pas shpalljes së pavarësisë Greqia kundërshtoi ashpër dhe nuk pranoi disa nga vlerat kulturore dhe historike të Maqedonisë si emrin kushtetues, flamurin dhe simbolet me të cilat identifikohej ky shtet.
Qeveria e Greqisë përmes presioneve të vazhdueshme diplomatike si dhe më vonë me vënien e sanksioneve ekonomike në vitin 1994 detyroi ndryshimin e flamurit, duke e hequr Diellin Virgjinia. Sipas grekëve “Sun of Virginia” paraqet lindjen e shtetit grek dhe i takon Filipit të II babait të Aleksandrit të Madh. Kjo ishte vetëm fillimi kur Maqedonia filloi dalgadal të zhvishet nga vlerat historike dhe kulturore të popujve etnik të Ballkanit. Tensionimi i marrëdhënieve mes dy vendeve vazhdoi edhe më tutje derisa në vitin 1995 dy vendet nënshkruajnë marrëveshje për çështjen e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Bazuar në këtë marrëveshje Greqia fitoi të drejtën e plotë të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare dhe multilaterale me emrin kushtetues. Që nga kjo periudhë Maqedonia zyrtarisht nga shumica e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare njihet si FYROM ( Former Yougosllav Republic of Macedonia).Me këtë emër deri më tani ka zhvilluar të gjitha marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Më 4 Nëntor 2004 emri kushtetues i Maqedonisë u njoh nga SHBA-të, më pas emrin e Maqedonisë e njohën Kina, Rusia, Turqia dhe mbi 100 shtete në botë.
Kur gjithçka dukej të kishte marrë epilogun sërish në skenë shfaqet Greqia me akuzat dhe kërcënimet për të bllokuar integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO nëse nuk pranon të ndryshoj emrin e saj.
Qeveria e re ardhshme pritet të filloj raundi i ri i bisedimeve ku edhe pritet me kompromisin e të dyja palëve përfundimisht të mbyllet kjo çështje./INA/