Një grup hulumtues nga Universiteti në Florida arriti të izolojë nga ajri një mostër të gjallë të koronavirusit të ri i cili u mor nga dy deri në pesë metra largësi nga pacientët e shtruar në spital për shkak të infeksionit me Kovid-19, publikoi Njujork Tajms.
Shkencëtarët e publikuan këtë në internet javën e kaluar. Studimi ende nuk është rishikuar, por ka shkaktuar debate.
Ekspertët theksojnë se është e paqartë nëse sasia e virusit që gjendet në ajër është e mjaftueshme për të infektuar një person tjetër.
“Përpjekjet për të marrë pika të tilla miniaturë shpesh e dëmtojnë virusin. Është shumë e vështirë të marrësh një mostër të materialit biologjik nga ajri dhe ta bësh atë të përdorshëm. Ne duhet të mbledhim mostra në një mënyrë të zgjuar, që të jenë të ngjashme me ato që i thithin njerëzit”, theksoi inxhinierja Seli Miler, e cila e studion cilësinë e ajrit dhe sëmundjet që transmetohen përmes tij.
Ndërkohë, virusologu Linsi Mar theksoi që kjo është provë që virusi infektiv qëndron në ajër. Përpjekjet e mëparshme për ta hetuar përhapjen e Kovid-19 nga aerosolet kanë qenë të pasuksesshme për shkak të marrjes së mostrave. Një grup arriti ta izolojë virusin, por nuk arriti të dëshmojë nëse është ngjitës.
Hulumtuesit nga Universiteti në Florida mostrat e marra i ruajtën duke i rritur së pari me avuj uji dhe më pas duke i transferuar ato në një lëng të mbushur me kripëra, sheqerna dhe proteina për të ruajtur patogjenin.
E njëjta metodologji u përdor kur u morën mostrat nga dhomat e spitalit, por atëherë nuk arritën ta izolojnë koronavirusin e ri për shkak të pranisë së viruseve të tjerë të frymëmarrjes.