Ambasada amerikane në Shqipëri ka ngritur alarm për një kërcënim të mundshëm që shënjestron një samit të organizuar nga opozita e Iranit në mërgim, që do të mbahet në Durrës më 23 dhe 24 korrik.
Samiti organizohet nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), të dy grupe që avokojnë përmbysjen e Qeverisë së Iranit.
Në Shqipëri, pranë qytetit të Durrësit, prej vitit 2016 strehohen rreth 3.000 anëtarë të organizatës MEK.
Sipas një njoftimi të bërë pak ditë më parë nga këto organizata, thuhet se “në këtë samit do të marrin pjesë qindra politikanë dhe deputetë të njohur nga të dyja anët e Atlantikut dhe më gjerë. Dhjetëra mijëra iranianë do t’i bashkohen ngjarjes online nga shumë vende të botës”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten ka thënë se Shqipëria ka qenë cak i një sulmi kibernetik nga një shtet jomiqësor, i cili ka shënjestruar të gjitha portalet qeveritare dhe portalin e shërbimeve e-Albania.
Autoritetet e Shqipërisë ende nuk e kanë komentuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin kërcënim.
Në janar të vitit 2020, autoritetet shqiptare urdhëruan dëbimin e dy diplomatëve iranianë, të cilët u shpallën persona të padëshiruar, pasi një prej tyre dyshohej se ishte anëtar i Gardës Revolucionare të Iranit, ndërsa tjetri pjesë e njësisë operacionale të shërbimeve sekrete iraniane.
Kampi Ashraf pranë Durrësit u vizitua një muaj më parë nga ish-nënpresidenti amerikan, Mike Pence, ndërsa në muajin maj këtë kamp e kishte vizituar edhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.