Shaip Kamberi ka fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë pas rivotimit në Tërnoc të Bujanocit.
Me këtë rast ai ka falënderuar të gjithë shqiptarët që të enjten, votuan për të dhe Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës.
“Qytetarëve të Lagjes së Strukarëve të cilët përtej bindjeve politike sot votuan për përfaqësimin e shqiptarëve. Njëzëri.
Faleminderit partnerëve të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës për angazhimin, përkushtimin dhe betejën që udhëhoqëm e fituam bashkë”, ka shkruar ai në Facebook.
Mirënjohje Kamberi ka shprehur edhe ndaj subjekteve tjera politike që veprojnë në Bujanoc, e të cilat siç tha ai, dëgjuan drejt nevojën e popullit shqiptar për vazhdimin e përfaqësimit parlamentar.
“28 Prilli na bëri të gjithëve bashkë e bashkë ia dolëm të gjithë. Unë do të vazhdojë të jem zëri i të gjithë qytetarëve pa dallim. Përtej çdo bindje politike janë shqiptarët. Faleminderit! Bashkë ia dolëm”, ka përfunduar ai.
Ky është mandati i tretë i Kamberit si deputet i Kuvendit të Serbisë.