Aroma e ajvarit dhe turshive më rrallë do të ndjehet këtë vit, më saktësisht gjatë periudhës kur përgatiten këto specialitete.
Kështu thanë disa nga qytetarët për Alsat duke shtuar se rritja e çmimeve ka ndikuar që shumë familje të heqin dorë nga përgatitja e ushqimeve për dimër.
“Nuk do të bëjmë asgjë sepse nuk ka para, pensionistët dobët janë”, u shpreh një qytetar.
“Nuk do të bëjmë asgjë, çdo gjë është shtrenjtuar. A do të bëni ajvar? Jo, nuk e hamë”, theksoi një qytetar.
Disa të tjerë thanë se pavarësisht çmimeve të larta do të bëjnë të gjitha përgatitjet e specialiteteve për dimër por me masë të përgjysmuar ose do të blejnë të gatshme.
“Do bëj siç kam bërë. Patjetër të hamë. Siç po japin para për luks duhet të japin edhe për ushqim. A do të bëni ajvar? Do të bëj, sigurisht. Përafërsisht, sa bëni për çdo vit? Rreth 150 kilogramë speca, dalin diku 50 kavanozë. Bëni vetëm për shtëpi ose edhe për shitje? Vetëm për shtëpi, kam dy djem, dy familje, të ka për të gjithë. Të gjitha me shpenzimet e mia, dëshiroj t’i ndihmoj fëmijët”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Patjetër, duhet pak, s’kemi çka të hamë. Vjet, në qoftë se i kemi marr 10 kilogramë tash do ti marrim 5 kilogramë”, u shpreh një qytetar.
“Më llogari është me ble. Çmimet kanë ndikuar edhe pritet prapë siç po shihet. Më lirë është me ble, sidomos në Kosovë më lirë janë. Turshitë, në përgjithësi i marrim në Prizren se pazari është më i pasur”, tha një qytetare.
Përveç ajvarit, turshitë, marmelatat dhe reçelet janë ndër specialitetet kryesore që përgatiten në fillim të vjeshtës, me qëllim që periudha e dimrit të kalojë më lirë dhe më ushqime të llojllojshme. / Alsat.mk