Kryetari i Aleancës për shqiptarët z. Ziadin Sela sot realizoi takim me ekspertin amerikan për çështjen e Ballkanit dhe politikën e jashtme, z. Daniel Serwer.
Në takimin dypalësh që u mbajt në një kohë mjaft të rëndësishme për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë, Sela dhe Serwer diskutuan për rëndësinë e integrimit euroatlantik të vendit, plotësimin e të gjitha kritereve pa vonesa shtesë si dhe hapësirimin e politikës së gjithmbarshme të Ballkanit në drejtim të BE-së dhe SHBA-së.
Sela ka përsëritur qëndrimin se shkëputja e Maqedonisë dhe rajonit nga ndikimi lindorë, posaçërisht atij rus është interes strategjik për shqiptarët dhe të gjithë popujve të Ballkanit.
Më tej Sela ka theksuar se Aleanca për shqiptarët do të jetë partner besnik i faktorit ndërkombëtar në drejtim të realizimit të progresit ekonomiko-shoqëror dhe funksionalizimit të shtetit ligjor në Maqedoni, si rrugë e vetme e garantimit të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon.