Nënkryetari i PDSH-së komenton rezultatin e Rekës
Nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Azem Sadiku thotë se votat që kjo parti ia dha kandidatit të koalicionit qeverisës, Stevo Pendarovski ishin ato që siguruan edhe avantazhin e tij në zgjedhjet e së dielës. Në një prononcim për TV Klan Maqedoni , Sadiku tha se votat që mori Blerim Reka, kandidati i mbështetur nga opozita shqiptare nuk rrezikojnë fare partitë që janë në koalicionin qeverisës.
Edhe në raundin e dytë të Presidencialeve, më pesë maj, Partia Demokratike Shqiptare ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë maksimumin e vet në mbështetje të kandidaturës së Stevo Pendarovskit, – thotë Azem Sadiku, numri dy i kësaj partie.
Ndërkaq, për pretendimet e bllokut opozitar shqiptar që mbështeti kandidaturën e Blerim Rekës, se rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve të së dielës ishin dëshpëruese për partitë politike shqiptare të cilat e mbështetën kandidatin e koalicionit qeverisë, Stevo Pendarovski, nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, të njëjtave u bën një lexim ndryshe: vlerëson shfirën prej rreth 80 mijë votave.
Rrjedhimisht, të dyja blloqet e kandidatëve të cilët shkojnë në balotazh, të Stevo Pendarovskit dhe Gorda Siljanovska- Davkovës, kanë nisur një betejë të vërtetë politike për të siguruar mbështetjen e kampit të profesorit Blerim Reka e cila, realisht ka për të qenë përcaktuese për shefin e ri të shtetit. Kjo për shkak se diferenca nga raundi i parë ishte tejet e ngushtë. /Klan Maqedoni/