Sadiki Shaini dënon ashpër huliganizmin e tifozëve të Prilepit në ndeshjen me Shkëndijen e Haraçinës
Zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini e ka dënuar ashpër sjelljen e turpshme të tifozëve të Prilepit ku në ndeshjen e sotme me Shkëndijen e Haraçinës pati provokime dhe brohoritej në gjuhën maqedonase: “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”.
“Dënoj ashpër çdo formë huliganizmi dhe sjellje të dhunshme në ambientet sportive. Ngjarjet e ndodhura gjatë ndeshjes ndërmjet KF Shkëndija – Haraçinë dhe KF Pobeda në Prilep janë të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë imazhin e sportit si aktivitet që bashkon njerëzit dhe nxit respektin e ndërsjellë”, thekson Sadiki Shaini.
Sipaa saj, sporti nuk duhet të jetë terren për urrejtje apo përçarje, por hapësirë për garë të ndershme, solidaritet dhe bashkëjetesë.
“Apeloj që institucionet kompetente të ndërmarrin masa ndaj çdo akti huliganizmi, në mënyrë që stadiumet të mbeten vende të sigurta dhe të respektuara për sportistët dhe tifozët e të gjitha komuniteteve”, u shpreh ajo.
Ministria e Sportit, shton Sadiki Shaini, do të vazhdojë me përkushtim të promovojë zero tolerancë ndaj dhunës dhe gjuhës së urrejtjes në sport, “duke e kthyer atë aty ku i takon – në shërbim të paqes, respektit dhe bashkimit”.


