Në mëngjesin e hershëm të datës 9 korrik të vitit 1997, makineria policore maqedonase ia mësyen Gostivarit, për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar pranë komunës, si një e drejt që e kishte miratuar unanimisht pushteti lokal.
Eskortat policore ishin nisur pasi që natën e 8 korrikut, Parlamenti kishte sjellë një vendim kundër valvitjes së flamurit shqiptar.
Në mëngjesin e kobshëm, eskortat policore arrestojnë Rufi Osmanin si kryetar komune, si dhe kryetarin e Këshillit komunal, Refik Dauti. Po atë ditë pasoi edhe revolta dhe protesta e qytetarëve, ashtu që policia ushtroi dhunë barbare, duke lënë qindra të plagosur, por edhe të vrarë.
Në këto ngjarje tragjike në mbrotje të flamurit ranë tri dëshmorë, Shpend Iseini, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti, dhe u maltretuan me qindra dhe mijëra qytetarë të Gostivarit që kishin dalë në protestë në mbrotje të flamurit kombëtarë që ishte larguar nga godina e Komunës së Gostivarit.
Rufi Osmani tani i përkushtuar si profesor universitar gjithmonë përkujton këtë ditë të kobshme për Gostivarit dhe shqiptarët anembanë.
“Kur u zgjodha unë kryetar i Komunës së Gostivarit menjëherë morrën vendim që te përdoret edhe flamuri shqiptar në Maqedoni. Kërkesa erdhi edhe pse Shqipëria ndodhej në një krizë të thellë e njohur si kriza e 97, Kosova po ashtu. Ne e ndjemë se diçka po përgatitet, prandaj së bashku me Arbër Xhaferin dhe Alajdin Demirin realizuam një takim me kryeministrin e asaj kohe Branko Cërvenkovski.
Në këtë takim unë i ofrova kompromis, Cërvenkovskit, për të dalë prej situate. Kompromisi ishte që unë vullnetarisht të shkoj në burg për mos respektim të vendimit të gjykatës kushtetutare, ndërsa qeveria, gjegjësisht parlamenti të sjell ligjin për zyrtarizimin e flamurit kombëtar. Qëllimi im ishte të mos e pëson populli. Dhe në parim u ra dakord, këtë mund ta dëshmoj edhe Alajdin Demiri, i cili është gjallë.
Më 8 korrik, Parlamenti i Maqedonisë në ora 22:00 të natës miratoi ligjin dhe sjellja e ligjit politikisht neve na dha të drejtë, sepse me këtë ligj u abrogua vendimi i gjykatës kushtetutare, por për fat të keq ora 24:00, Branko Cërvenkovski që për mua vazhdon të jetë një kriminel ordiner, nga pozicioni i kryeministrit solli në Gostivar mbi 5000 mijë policë. Në ora 3 të mëngjesit burgosem unë, burgoset kryetari i Këshillit, dhe më 9 korrik ndodhi masakra e Gostivarit. U vranë tre qytetar të pafajshëm, u maltretuan me mijëra qytetar”, rrëfen Osmani.
Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtor kryetarin e komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, duku ia shqiptuar 14 vite burg, gjegjësisht 7 vite burg në instancën e dytë gjyqësore. U dënua edhe kryesuesi i këshillit Komunal, Refik Dauti, ndërsa ndëshkime pati edhe për kryetarin e atëhershëm të Tetovës, Alajdin Demiri si dhe kryesuesin e këshillit komunal Vebi Bexheti.
Ngjarjet e 9 korrikut të vitit 1997 edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të sjellin kujtesën e ngjarjeve më tragjike në mbrotje të flamurit kombëtarë që valvitej para godinës së Komunës së Gostivarit.