Policia e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar që gjatë kontrolleve të kryera së bashku me Inspektoratin Shtetëror të Tregut ka gjetur katër subjekte që kryejnë shërbime me deviza në mënyrë të kundërligjshme, transmeton Portalb.mk.
“Në kontrollin e përbashkët të policisë dhe inspektorëve të tregut te personat që kryejnë aktivitete nga fusha e punës me deviza në sipërfaqen e SPB Kumanovë, u konstatuan parregullsi”, njoftoi Policia.
Raportohet që gjatë kontrolleve të shitblerjes së parave të huaja dhe vendase, u kapën katër persona që kryenin aktivitetet në kundërshtim me Ligjin për punë me deviza në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në kontrollet e kryera, është vërejtur mungesë e Vendimeve dhe Licencave, derisa në arkën e tyre janë gjetur 4.7 milionë denarë, 41 mijë dollarë dhe sasi tjera nga valutat tjera, ndërsa te kompania tjetër 321 mijë denarë dhe qindra euro dhe dollarë, sikurse edhe te dy tjerët mijëra franga, denarë dhe qindra dollarë e euro.