Me javë të tëra flitet për rritje enorme të çmimeve të produkteve bazë dhe derivateve të naftës. TV21 doli në sheshin “Maqedonia” për t’i pyetur qytetarët se si po ia dalin me krizën ekonomike.
Ne shesh hasëm një mërgimtar që kishte ardhur nga Danimarka. Ajo që kishte hasur ishte se çmimet e naftës në Maqedoni janë pothuajse njëjtë si në Danimarkë.
“Në realitet shumë shtrenjtë është këtu në krahasim me Danimarkën. Kur krahason rrogat se sa janë këtu 300, 400 euro në Danimarkë 2000 ose 3000 euro, ndërsa këtu çmimet janë shumë të larta”.
Takuam edhe një vizitore nga Kosova. Tha se në atje çmimet e naftës janë më të larta, se sa në Maqedoni.
“Vetëm çmimet e naftës nuk dukeshin aq të larta aq sa prisnim që të jenë. Në markete nuk kemi hy ende”.
Në ndërkohë qytetarët vendas thonë se po e ndjejnë krizën.
“Po ka filluar të ndjehet kriza dhe se si do të jetë nuk e di”.
“Tensione për shkak të situatës në Ukrainë, pasojat negative nga vetë lufta, megjithatë të gjithë ne e ndjejmë si problem sepse çdo ditë fokusi është tek lufta dhe burimet energjisë.”
Opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE thotë se qeveria e udhëhequr nga LSDM dhe BDI është fajtore kryesore për krizën në të cilën për momentin po përballen qytetarët e Maqedonisë.
“LSDM dhe BDI si Qeveri e kanë ditur që para 4 muajve qe do të ketë krizë të tillë që vjen si rezultat i ngjarjeve që po ndodhin në botë, informacionet i kanë pasur, megjithatë kanë vendosur që të mos interesohen se si t’i ndihmojnë qytetarët, por i lanë të fundosen në varfëri”, tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.
LSDM thonë se me masat anti-krizë qytetarët veç më kanë filluar t’i ndjejnë rezultatet.
“Masa për uljen e marzhave në kombinim me masën për ulje të TVSH-së për produktet bazë ushqimore në 0% tani po jep rezultate. Çmimet për ushqimet bazë mbetën stabil dhe I mbrojnë qytetarët nga rritja shokuese e çmimeve”, theksoi Kostadin Acevski, LSDM.
Ndërkohë dje ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se që dita e nesërme pritet të lirohen çmimet e ushqimeve bazë në bazë të uljes së TVSH-së nga 5% në 0%.