Qeveria shkarkoi dy nga tre drejtorët e M-Nav në seancën e fundit. Në vend të kreut të bordit drejtues Fahrudin Hamiti, ekzekutivi ka emëruar Ilir Mehmetin, kurse në vend të Lube Stamenkovskit ka emëruar, Milan Koraç, shkruan Alsat.
Vendimi i qeverisë erdhi si reagim pas zhvillimeve të disa ditëve të fundit, të cilët kulmuan me sulm dhe dhunë fizike në hapësirat e navigacionit të Maqedonisë, në të cilin morën pjesë funksionari i BDI-së Bekim Neziri dhe shtatë persona të tjerë. Shkarkimi i drejtorëve të deritanishëm kishte qenë kërkesë e Sindikatës së të punësuarve në M-NAV të cilët kishin kërcënuar se nëse kjo nuk ndodh, do të bëjnë grevë duke mbyllur hapësirën ajrore mbi Shkup.
Sindikata kishte akuzuar përgjegjësit për punësime partiake në vend të kuadrove profesional.
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se shkarkimi i drejtorëve të M-NAV nuk mjafton.
“Nuk mjafton vetëm shkarkimi i drejtorëve por të kërkohet edhe përgjegjësi nga komanduesit dhe pranga në duar. Kush e porositi dhunën në kullën e kontrollit? Kush ka lejuar dhunë deri sa avionët qarkullojnë mbi Shkup. Kush është përgjegjës për përzgjedhjen e sigurimit në objekt strategjik? Për këto çështje duhet të shihet edhe përgjegjësia e ministrive përgjegjëse, nga Lidhje dhe Transport, deri te MPB-ja, Boçvarski dhe Spasovski. Ligji është i qartë. Kjo nuk është “zënkë” mes kolegëve, është rrezikim i sigurisë së transportit ajror”, tha Naum Stoillkovski, VMRO.
Ndërkohë, në M-NAV sot ka hyrë Policia financiare. Nga atje për mediat njoftojnë se do të bëjnë konktrolle për të parë a ka dyshime për vepra penale në procedurat financiare.
Pakënaqësitë në M-NAV vazhdojnë prej kohësh dhe sindikata disa herë ka kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës./ Alsat.mk