Është mesnatë dhe për punëtorët e marketit Tina në Gjilan orari gati ka përfunduar.
Mirëpo, për dikë tjetër aktiviteti kriminal tek në këtë kohë ka nisur.
Ky person i armatosur tentoi që në këtë lokal ta grabiste pazarin ditor.
Kështu, nën kërcënimin e armës e detyroi njërin prej punëtorëve që t’ia mbushë qesen me para.
Përveç të hollave, grabitësi ia kërkoi atij edhe një byzylyk të qafës.
Në këto momente tensioni, njëri prej punëtorëve i vërsulet personit të armatosur, duke tentuar që t’ia marrë armën.
Në ndihmë i dalin edhe punonjësit e tjerë, duke ia dal që t’ia largojnë pistoletën 40 vjeçarit me inicialet S.I.
Brenda pak minutave, në lokal mbërrijnë edhe njësitet policore të cilat arrestojnë të dyshuarin.
“Dyshohet se personi i njëjtë ka qenë i përfshirë edhe në një grabitje tjetër këtu në Gjilan, në një pikë karburantesh”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani.
S.I mësohet se është me vendbanim në komunën e Vitisë dhe vjedhjet dyshohet që t’i ketë kryer kryesisht në Gjilan, për t’ua vështirësuar organeve të rendit zbulimin e tij.