Shkruan: Nuredin NAZARKO
E gjithë jeta është vetëm një çast. Ky është çasti që përcakton përfundimin e asaj që e nisëm shumë kohë përpara se të kalonim pragun moshor kur u bëmë të vetëdijshëm për kufirin që ndan dy botë, të mirën nga e keqja, virtytin nga veset. Prej këndej e më pas përgjegjësia për atë çfarë thamë e kryem ishte pjesë e pandarë e jona. Çdo fjalë e thënë, çdo veprim i kryer, nuk mund të mos peshohej. Fryma nuk mund të shpërdorohej për teka dhe dëshira që nuk kishin asnjë bazë të qëndrueshme. Mbi këtë perceptim ndërtuam përfytyrimet tona për trasenë ku duhej të udhëtonte treni jetës.
Përfytyrimet janë asgjë nëse nuk konkretizohen në jetën reale. Fjalët nëse nuk ndërlidhen me veprat janë vetëm vibrime mes ajrit dhe kordave. Veprimi është shënjues i fuqisë për ndryshim. Veprimi është shënjues i nevojës që ka njeriu për t’u shkundur nga pluhuri i stabilitetit të paqenë, të cilin njeriu parapëlqen ta cilësojë si strehën më të përshtatshme për të mos ndjerë aspak ulërimën e erërave të uraganit jetësor. Në emër të një stabiliteti jetësor të paqenë, që në fakt nuk është as më shumë e as më pak vetëm se një fanitje dembelësh dhe fanitje e një mizërie syresh që jetën e përcaktojnë si kolovitje në nanuritje lisharësesh.
Jeta është mejdani ku njeriu do shpalojë qartazi, qoftë edhe duke qenë i qartë në hipokrizinë e vet, atë që vlon si kazan në brendësinë e tij. Mjeshtëria për të farkëtuar fytyra të rreme në kovaçhanën që kutërbon nga era e qymyrit të djegur, nuk ka për t’i siguruar siguri të ngahershme njeriut të këtij formati. Në një çast, vetja do të tradhtohet. Jo se ky do ta tradhtojë veten, por ngjarjet, rrethanat do të pështjellohen në atë lloj mënyre dhe do të shtrëngohen në atë lloj forme saqë nuk kanë për t’i lënë shteg nga ku do të mund të arratiset për të shpëtuar sadopak nga mjeshtëria e farkëtimit të maskave.
Mejdani i jetës, e vërteta që nuk i shpëton askush. Ç’është e vërteta, kush do të dëshironte t’i dilte para kësaj të vërtete ballëhaptas pa iu dridhur aspak qerpiku? Çdokush e ndjen që nuk është gati për sporte të rënda në këtë sferë. Është më se e sigurt se nuk ka njeri që të ketë guximin ta sfidojë këtë të vërtetë, ndërkohë që ajo na sfidon në çdo çast. Kjo e vërtetë jo se nuk është e mëshirshme, por mbi të gjitha është e drejtë. Në sajë të drejtësisë çdokënd e çmon për aq sa rëndon në peshoren e drejtësisë, e cila natyrisht nuk është peshorja allçi e pallateve të drejtësisë, apo ndërtesave të ministrive të drejtësisë. Kjo është peshore e një lloji tjetër, e një rendi tjetër gjërash, ku korruptimi, ryshfeti, njohjet, nepotizmi, patronazhi nuk pinë ujë. Dhe është e drejtë aq sa edhe një grimcë padrejtësie nuk mund ta anojë në njërën apo tjetrën anë. Edhe në tingëlloftë e çuditshme për ata syresh që peshoren e drejtësisë e shohin jo të anuar, por të përmbysur tërësisht nga ana e tyre nuk ka shumë rëndësi. Prandaj në mejdanin e jetës, çdokush rend t’i ikë, t’i fshihet të vërtetës së tij. Prej së largu kërkon të përgjojë se çdo të ngjasë me aksh njeri e me aksh individ. Qëndron i fshehur në rehatinë e strehës së vet, duke menduar për maskën e radhës që duhet të modelojë në kovaçhanë, në mënyrë që të shpëtojë lëkurën edhe një herë nga shkundullimet e mejdanit jetësor. Qyqari, beson se maska e radhës është fytyra e vërtetë që ka. Nga frika dhe ankthi ka harruar edhe numrin e saktë të maskave që ka ndërruar sa herë ia ka lypur nevoja. Madje ka patur guxim të tepruar kur guxoi të përdorte maskën e burrërisë, poshtë së cilës dridhej si lepur. Dridhej sepse po e tradhtonte vetja. Dridhej nga inati dhe tmerri njëkohësisht, që mejdani jetës po e çonte në sfera të tjera, ku maska e burrërisë nuk do t’i rezistonte dot ngushtësisë së lartësisë. Dhe kur maska të prekte thepisjet e ngushtësisë së lartësisë fytyra e shtrembëruar nga makthi do të dilte sheshit. Atëherë njerëzit do ta shihnin që nuk ishte ai që paskësh qenë. Kjo e tmerron edhe bën sikur nuk i frikësohet kurrsesi kësaj gjendje.
Të gjithë, kush më shumë e kush më pak i frikësohen kësaj pjese. Por më shumë nga të gjithë i frikësohen ata që gjithë kohën mllefosen dhe duken aq të ndërkryer ndaj padrejtësisë. Dhe kur kthehen në strehimoret e trupave të tyre heqin këtë maskë, e lëshojnë mbi tavolinë para pasqyrës dhe shtrihen të flenë me fytyrën që mejdani jetës ka për ta hedhur në shesh. Dhe nëse ndodh që ta shohin në proces ndërrimi maskash, me siguri do ta besojnë se është aktor në një shfaqje teatri dhe për të mirën e shfaqjes, që rolet të dalin sa më pranë natyralitetit, po nxiton të ndërrojë maskat një pas një. Dhe jo pak nga shumica e njerëzve besojnë se vërtet ashtu na qenkësh. Po ç’rëndësi ka për mejdanin e jetës se sa i besojnë maskave dhe burracakëve që fshihen poshtë tyre?
Vetëm një pakicë syresh mund ta kapërcejnë këtë kufi dhe të mbajnë qëndrime dinjitoze, krenare, jo arrogante, njerëzore, pa patur nevojë për maskë apo ndërrim maskash. Gjithmonë do gjallojë një soj njerëzish që kanë guximin dhe kurajon të shfaqen ashtu si janë dhe në mejdanin e jetës të mbeten ata që thonë se janë. Këta përbëjnë ndryshimin, diferencën dhe këta janë prova e falsitetit të maskave pa fytyra burrërore nën to.