Sunday, November 24, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionPse guxoi krimi të godasë Saimir Tahirin

Pse guxoi krimi të godasë Saimir Tahirin

Nga Armand Shkullaku

Pas ngjarjes së rëndë dhe të paprecedent të kërcënimit me tritol të ministrit të Brendshëm, po vihet re një përpjekje për ta politizuar edhe atë, për ta parë si të shkëputur nga situata kriminale në vend dhe jashtë përgjegjësisë së qeverisë ndaj rendit publik. Një përpjekje e tillë, që motivohet nga shqetësimi për të mos marrë kosto politike, vetëm mund ta agravojë më tej gjendjen e kriminalitetit në vend. Kjo ka ndodhur edhe më parë, kur kryeministri dhe ministri kanë anashkaluar përgjegjësitë e tyre dhe sigurinë në vend e kanë trajtuar si një debat politik shifrash e justifikimesh. Si kundërpërgjigje, kriminaliteti në vend është bërë shqetësues. Tritoli ka kërcënuar dhe ka vrarë në shumë raste, një bankier i lartë u ekzekutua në qendër të Tiranës, trafiku i drogës është sofistikuar, drejtues të lartë policie rezultojnë të implikuar dhe qytetarët nuk ndihen të sigurt, qoftë nga shpërthimet, qoftë nga shkëmbimet e zjarrit në rrugët kryesore të qyteteve. Në këtë kontekst, shpërthimet e së martës së 10 shkurtit nuk ishin një krismë në qiell të pastër. Ato ishin një lloj shpërfaqje më arrogante se më parë e krimit për të goditur deri edhe ministrin e Brendshëm.

Në Shqipëri nuk ka ndodhur ndonjëherë që një ministër i Brendshëm të kërcënohet kaq hapur, sepse më shumë se akt terrorist ajo që ndodhi ishte një paralajmërim i pastër mafioz. Nuk ka ndodhur as në vitet e para të pluralizmit, as në vitin ’97 kur mbretëronte kaosi, as në periudhën e Spartak Poçit, kur armët e eksplozivët ishin rrugëve dhe kur pjesa më e madhe e bandave dhe banditëve përfunduan pas hekurave. Nuk ndodhi as në 2005- 2006, kur Sokol Olldashi (mund të shihen raportimet e mediave në atë kohë) çmontoi disa prej organizatave më të mëdha kriminale në vend dhe shumë nga “të paprekshmit” u lidhën me pranga. Cenimi direkt i ministrit të Brendshëm, më keq akoma i familjes së tij (tipike mafioze si formë kërcënimi) po ndodh tani, në vitin 2015.

Po pse? Çfarë ka ndryshuar? A është ky ministri më i paepur në luftën kundër krimit dhe për këtë u godit? Pse nuk ka ndodhur edhe më parë një fenomen i ngjashëm? Qeveria dhe aksesorët e saj e shohin këtë ngjarje si reagim të krimit ndaj njeriut që po e shpartallon atë pa mëshirë. Dhe ky na qenka Saimir Tahiri, një lloj Falkone ose Borselino, siç e cilësoi vartësi i tij Artan Didi. Pastaj vijnë menjëherë teoritë konspirative që akuzojnë indirekt opozitën si frymëzuese të akteve të tilla, lidhjet e së shkuarës që Tahiri po i këput, paaftësinë apo sabotazhin e SHISH etj., etj. Madje këto teori marrin thuajse formë zyrtare kur drejtori i policisë deklaron përpara kamerave se hetimet janë orientuar jo vetëm drejt autorëve të mundshëm të këtyre akteve, por edhe për të zbuluar se… kush e ushqen urrejtjen ndaj ligjit dhe institucioneve që e përfaqësojnë atë. Pra nënteksti është i qartë: sulmi ndaj Tahirit është një konspiracion politiko-kriminal.

Ky version është shumë pak i besueshëm dhe një shpjegim i tillë jo vetëm nuk është i vërtetë, por duke iu shmangur thelbit të problemit, rrezikon ta përkeqësojë atë. Saimir Tahiri nuk është një hero i antikrimit. Ai nuk ka bërë ndonjë gjë më shumë sesa paraardhësit e tij. Madje në një vit e gjysmë, përveç bilancit të gjobave, nuk ka asnjë bilanc tjetër të çmontimit të organizatave kriminale në vend dhe arrestimit të elementëve të dyshuar si kokat e malavitës në Shqipëri. Aksioni në Lazarat apo ai në Xibrakë, janë padyshim domethënës por, në të dyja rastet, drejtuesit e vërtetë të trafikut të drogës nuk janë zbuluar. Një qeveri e re, që vjen nga opozita, ka avantazhin e madh për të qenë e distancuar nga grupet kriminale e për rrjedhojë ka mundësinë që t’i godasë që në fillim ato. Në rastin e qeverisë Rama, kjo nuk ndodhi.

Krimi e ndjen kur shteti e ka seriozisht luftën kundër tij dhe zakonisht, kur ka ndryshime të mëdha politike, tërhiqet për të vrojtuar dhe testuar vendosmërinë dhe vullnetin e qeverisë së re. Kur shihet se shteti është i disponuar për të treguar fuqinë e tij, për t’i goditur të gjithë njëlloj (madje edhe ata që mund t’i jenë ofruar për shërbime elektorale apo favore të tjera), krimi tërhiqet. Ministri i Brendshëm në këtë rast nuk është një individ i caktuar, por vetë figura e shtetit dhe forca e ligjit që e bën atë të paprekshëm si të tillë. Ministrat e tjerë përpara Tahirit, ndonëse kanë goditur shumë herë më tepër krimin e organizuar, kanë lëvizur lirshëm në qytet dhe nuk janë kërcënuar ndonjëherë seriozisht. Kur lufta ndaj krimit nuk orientohet nga goditja e një grupi dhe favorizimi indirekt i ndonjë tjetri, kur ajo është e pakompromis pavarësisht afërsive politike, atëherë ajo nuk lexohet si akt individësh të caktuar, por si vullnet shtetëror. Në këtë rast asnjë ministër nuk do të ndihej i kërcënuar si individ. Sigurisht që opozita shkon shumë larg kur thotë se kërcënimi ndaj Tahirit nuk ka të bëjë me luftën kundër krimit, por me një luftë mes bandash rivale, por edhe të pranosh se ministri është goditur si hero i betejës antikrim, është përsëri shumë.

Në këtë një vit e gjysmë qeverisje, Ramës dhe Tahirit u ka munguar dimensioni i vullnetit të pakompromis kundër krimit. Përkundrazi. Ndonëse nuk thuhet publikisht, në çdo rreth pranë politikës përflitet për favorizime ndaj individëve të caktuar që dyshohen për aktivitet kriminal, thuhet se vetë ministri është kërcënuar në raste të veçanta nga të tjerë njerëz me pushtet, drejtues policie mbajnë lidhje kompromentuese me grupe të caktuara dhe godasin grupe të tjera. E nëse krimi nuhat që selektiviteti shtrihet edhe në botën e tij, atëherë bëhet agresiv dhe adresohet edhe në emra të përveçëm.

Po t’i shtosh këtij fenomeni edhe mënyrën amatoreske me të cilën qeveria e menaxhon rendin publik, bëhen të shpjegueshme edhe guximi dhe arroganca e kriminelëve për të goditur në mes të Tiranës vetë familjen e ministrit të Brendshëm. Kryeministri dhe ministri po e trajtojnë edhe sigurinë si fasadat e Kryeministrisë, videot e spitalit apo palmat e autostradës, me populizmin propagandistik: si ka qenë dhe si është. Sa për qind të vrarë më pak se në kohën e Saliut, fajin e kanë mediat, etj. Por me rendin nuk mund të bëhet show, nuk është një film luftash, ku ministri del me ca policë me maska nga pas dhe i tmerron “të këqijtë”. Kjo lehtësi që i shtohet mungesës së vullnetit politik për të goditur krimin pa kompromis dhe pa ngjyrë politike, i jep atij hapësirën dhe guximin për të prekur deri ministrin e Brendshëm. Dhe nëse për aktet mafioze të tritolit të 10 shkurtit do të vazhdojë përpjekja për t’i shmangur nga e vërteta, kemi pak arsye për t’u ndjerë të sigurt në ditët që do të vijnë./MAPO

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!