Prof.. Nebi Dervishi
Përkujtes (me rastin e 24 vjetorit të vrasjes )
Naser Jashar Hani
(15.08.1985 – 12.06.2001)
Më 12 qershor 2025 mbushen plotë 24 vjet nga atentati politik me pasoja tragjike ndaj Naser Hanit (12 qershor 2001), veprimtarit, atdhetarit dhe humanistit të shquar nga Veleshta e Strugës, i cili ishte një jetë në shërbim të lirisë.
Është e vështirë për ta konceptuar (përshkruar) aktin makabër të vrasjes të veprimtarit veleshtar, Naser Hanit, i cili si atdhetar i denjë i çështjes kombëtare shqiptare, vritet nga struktura e fshehta të shtetit maqedonas.
Më 13 qershor, një ditë pas vrasjes së Naserit, politikani shqiptar Xhevdet Nasufi asokohe Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Maqedonisë, kishte guxuar të deklaronte se pas vrasjes së Naserit qëndronte Ministria e Punëve të Brendëshme. Duke pasur parasysh së Xhevdet Nasufi dhe Naser Hani, i takonin të njëjtës parti (PDSH-së) dhe kishin qenë shokë e miq të ngushtë dhe ishin nga i njëjti fshat, deklarata e tillë e Xhevdet Nasufit ishte jo vetëm e rëndësishme, por edhe shumë e besueshme.
Po ashtu, se të njëjtën gjë e kishte pohuar edhe kryetari i PDSH-së z. Arben Xhaferri, në intervistën e tij dhënë VOA-së më 14 qershor 2001, në të cilën ai kishte thënë se: “Naser Hani nga një grup ende i panjohur, me siguri i përbërë nga segmente sekrete shtetërore, u kindapua dhe u vra”.
Po ashtu, në ditët e para pas vrasjes së Naser Hanit ishte thënë, se vrasësit kishin qenë disa persona, sipas disave pa maska; se ato kishin qenë në një minibus; sipas disave me targa e sipas disa të tjerëve pa targa; se derisa Naseri kishte qenë duke ecur i vetmuar drejt banesës së tij, minibusi me kriminelët vrasës kishte shkuar prapa dhe se në momentin kritik kur Naseri ishte ndodhur rreth 100m para banesës së tij, vrasësit kishin dalur nga minibusi dhe ishin përleshur për ta futur në minibus, dhe meqë këtij qëllimi s’ia kishin arritur, e kishin vrarë atë nga afër me armë zjarri dhe ishin larguar në drejtim të panjohur. Kështu, ishte folur në ditët e para, pas vrasjes së Naserit, pastaj të gjithë ata që kishin folur papritmas ishin stepur. Me kalimin e kohës askush s’kishte thënë se ngjarjen e kishte parë, me sy, por vetëm kishte dëgjuar për të. Shihet qartë se Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ua kishte mbyllor gojën të gjithë atyre që kishin folur fillimisht lidhur me atentatin politik ndaj Naserit.
Po cila qe veprimtaria atdhetare e Naser Hanit, i cili një jetë ishte në shërbim të lirisë?
Lindi në Veleshtë të Strugës më 15 gusht 1958, në një familje atdhetare e arsimdashëse. Qysh në fëmijërinë e hershme u edukua nga familja dhe rrethi i tij me tipare atdhedashurie. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjimnazin e Strugës, në vitet 1973-1977, dhe studimet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ku do të diplomoi në vitin 1983.
Naser Hani do të merrë pjesë aktive në ngjarjet e Pranverës së madhe të vitit 1981, sin ë protestat “Spontane” të 11 marsit në Mensën e Studentëve, protest kjo që ishte kthyer në demostratë, në demostratat e 26 marsit dhe 1-2 prillit në Prishtinë, për pjesëmarrjen e të cilat pak më vonë në tetorin e 1982 së bashku me studentat të tjerë do të arrestohen në Prishtinë dhe do të dërgohe në burgun hetues në Ohër. Pas dy muaj hetimesh brutale, intriguese dhe shantazhuese të hetuesve maqedonas, në sajë të vendosmërisë dhe kokëfortësisë që kishte treguar gjatë hetimeve, ai (Naseri) ishte liruar për mungesë faktesh.
Pas diplomimit, për të siguruar ekzisencën do të marrë përkohësisht rrugën e mërgimit në Zagreb të Kroacisë gjatë vitit 1984, ku kishte bërë punë të rënda fizike, ishte ushqyer dosido dhe kishte banuar nëpër baraka plotë lagështi së bashku me nevojtarë të tjerë shqiptarë.
Pas një viti më 1985, Naser Hani do të kthehet në Kosovë (Dardani) dhe së shpejti do të martohet me Zonj. Florentina. Aty nga fundi i vitit 1986, Naseri me ndihmën e disa miqve arrin të punësohet si bashkëpuntor profesional në Sekretariatin për Ekonomi dhe financa pranë Këshillit Ekzekutiv të Kosovës.
Naser Hani do të merrë pjesë në Demonstratat e vitit 1988 si dhe do t’i admirojë dhe mbështesi Minatorët e Trepçës më 17 nëntor 1988, të cilët ishin nisur në këmbë për në Prishinë qindra me persona për t’i mbrojtur kushtetueshmërinë e Kosovës.
Në gushtin e vitit 1990, Serbia me Millosheviqin në krye ia kishin mbyllur Kosovës institucionet kryesore, siç kishin qenë: Kuvendi i Kosovës, Kryesia e Kosovës dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, me ç‘rast ishin përjashtuar nga puna të gjithë shqiptarët, të cilët kishin punuar në këto institucione. Kështu, që nga gushti i atij vitit edhe Naseri kishte qenë i përjashtuar nga puna. Brenda rrethanave të krijuara, Naseri kishte vendosur që të kthehet në Strugë, në fshatin e tij të lindjes në Veleshtë afër Strugës.
Pas kthimit në vendlindje, Naseri ishte marrë me veprimtari të shumëllojshme. Ai me shokët e tij nga Veleshta dhe fshatrat për rreth kishte vazhduar të mblidhte ndihma financiare për familjet e të burgosurve politik nga Kosova… Gjatë atyre viteve ai kishte vazhduar me rolin e tij prej katalizatori duke u munduar t’i përmirësonte marrëdhëniet si midis degëve të partive shqiptarë të porsakrijuara në Maqedoni, ashtu edhe midis shokëve të ilegales. Më tej, gjatë atyre viteve, Naseri ishte bërë pjesë e një organizimi politikoteritoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, veprimtari kjo e cila duke pasur edhe karakter mbrojtës dhe ushtarak, ai ishte përpjekur ta bënte “e mbuluar atë me veprimtari të tjera më pak të rrezikshme të përmendura më lartë.
Kishin qenë angazhimet e tilla ato që e kishin kthyer sërish Naserin në një “marimangë” si dikur gjatë viteve të studimeve në Prishtinë. Kësisojë, ai herë ishte parë në Strugë dhe në qytete të tjera shqiptare këtu në Trevat Lindore, herë në Dardani, në Prishtinë e gjithandej. Ishte e ditur se kur kishte dalë nga shtëpia por s’ishte ditur se kur do të kthehej, ose nëse do të kthehej fare në shtëpi..!
Në fillim të viteve ’90 të shek. XX, Naseri thoshte se pala maqedone dhe ajo shqiptare ia kishin ditur të gjitha fshehtësitë njëra tjetrës, por meqë asnjëra palë s’ishte aq e fuqishme për ta mposhtur tjetrën, të dyja palët tregonin “tolerancë” duke heshtur. Por, meqë aty nga gjysma e dytë e vitit 1993, pala maqedonase i kishte konsoliduar mjaftueshëm mekanizmat e saj ushtarako-policore monoetnike, ajo papritmas kishte angazhuar policinë dhe shërbimet sekrete maqdone për t’i arrestuar të gjithë ata shqiptarë të cilët ishin bërë pjesë e organizimit politiko-teritorial të shqiptarëve (“Autonomia e Iliridës”), duke rënë kësisoj ai organizim si të kishte qenë një kullë prej letre.
Pra, kjo kishte qenë arsyeja pse gjatë gjysmës së dytë të vitit 1993 në Maqedoni ishin përndjekur, arrestuar dhe burgosur, sidomos ata shqiptarë të cilët brenda organizimit të tyre politiko-territoriale, kishin marrë detyra të caktuara në kuadër të segmentit të mbrojtjes të atij organizimi. Njëri prej këtyre personave të përndjekur kishte qenë edhe Naser Hani, i cili pasi kishte kuptuar se shërbimi sekret maqedonas kishte bërë plane për ta eleminuar fshehurazi fizikisht apo ndoshta edhe arrestuar, ishte I detyruar që të arratisej në Austri.
Ajo që Naserin pas largimit në Austri e kishte bërë të ndihej mirë, ishte fakti si ai shënimet e tij lidhur me organizimin politiko-territorial për Strugën me rrethinë, për shkaqe preventive nuk ia kishte dhënë askujt, as eprorëve të tij, gjë që i kishte bërë të pamundshëm përndjekjen e shqiptarëve të tjerë që kishin bashkëpunuar me të. Pra, aty nga fundi i verës ose në fillim të vjeshtës të vitit 1993, Naseri për shkak të përndjekjes politike në Maqedoni ishte arratisur në Austri dhe ishte vendosur me vendqëndrim në lagjen (bezirk) nr,. 17 të Vienës. Pas një vitit qëndrimi në Austri, ku në një farë mase kishte përvetësuar gjuhën gjermane, Naseri i kishte regjistruar studimet pasuniversitare në Fakultetin Ekonomik të Vjenës. Kishin qenë angazhimet e tilla rreth çështjes së Kosovës, ato të cilat kishin bërë që studimet pasuniversitare t’i mbeteshin të lëna përgjysëm. Kjo kishte dëshmuar se ai nuk mund të ikte nga fakti i tij i marrjes më çështjen e Kosovës.
Në Austri, në vititin 1995 Naser Hani ishte bërë edhe anëtar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH-së) në Maqedoni, ndërsa në vitet 1991-1993, ishte themeluar (krijuar) gradualisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës. (UÇK). Në marsin e vitit 1996 UÇK-ja do të shfaqej zyrtarisht, duke i marrë përsipër nëpërmjet komunikatave të Shtabit të saj të përgjithshëm sulmet guerile të cilat i kishte organizuar kundër policisë serbe nëpër stacionet policore gjithandej teritorit të Dardanisë (Kosovës). Që nga kjo kohë Naseri në formë tepër sekrete ndihmonte UÇK-në. Duke pasur parasysh se vite me vonë Naser Hani ishte vrarë duke qenë në prapavijë të UÇK-së, kjo kishte bërë që pas lufte krerët e saj ta shpallin dëshmorë të kombit.
Naser Hanin Lufta Çlirimtare e Kosovës e kishte gjetur në Austri, ku ai me tërë qenien e tij ishte vënë në përkrahje të UÇK-së dhe të fondit të saj me emrin “Vendlindja thërret”. Ai së bashku me studentët, që studjonin në Austri e kishin themeluar dhe e kishin vënë në shërbim të UÇK-së edhe “Shoqatën e studentëve në Austri. Po ashtu, Naseri e kishte themeluar dhe e kishte vënë në shërbim të UÇK-së, Shoqatën Veleshtare në Austri.
Në vjeshtën e vitit 1998, Naser Hani, pas pesë vitesh mërgimi në Austri, kthehet në Veleshtë të Strugës.
Në vitin 1999 Ministria e Brendshme e Maqedonisë në krye të së cilës kishte qenë Ljube Boshkovski, për disa muaj rresht ua ishte bërë të mundshme shqiptarëve dhe të tjerëve që ata t’i merrnin kopjet e dosjeve të tyre sekrete nga kjo ministri, të cilat kishin përfshi periudhën e përndjekjeve politike që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në vitin 1991, derisa Maqedonia kishte qenë pjesë e Jugosllavisë së Titos.
Edhe Naser Hani nga kurreshtja e kishte marrë kopjen e dosjes së tij të hartuar nga sigurimi shtetëror i Kosovës dhe i Maqedonisë brenda viteve 1981-1991, kur ai kishte qenë aktiv në demostratat e atyre viteve për realizimin e Republikës së Kosovës. Duke e shfletuar dosjen e tij, ai ishte habitur që brenda saj nuk ishte e shënuar vetëm veprimtaria e tij politike, pjesmarrja nëpër demostrata e gjëra të tjera, por aty ishin të shënuar edhe disa gjëra nga jeta e tij private. Pastaj ai ishte çuditur kur kishte parë se kundër tij nuk kishin raportuar vetëm ata prej të cilëve ai këtë e kishte pritur, por edhe ndonjë tjetër, prej të cilit ai nuk e kishte pritur. Vetë përmbajtja e dosjes së tij, kishte lënë të nënkuptojë, se nëse në Maqedoni një ditë do të kishte konflikt të armatosur midis shqiptarëve dhe forcave qeveritare maqedone, Naseri dhe kategoria e shqiptarëve të vlerësuar “ekstremistë” do të mundeshin nga strukturat policore maqedone, sidomos tani kur struktura e tilla do të kishin për katër vjet me radhë në duart e L. Georgieskit dhe Ljuben Boshkovskit, që të dy bullgaromëdhenjë dhe antishqiptarë të përbetuar.
Nga ana tjetër, Naseri duke e lexuar dosjen e vet, e kishte menduar sërish për ekzistimin e “Listave të zeza” me emrat shqiptarësh të cilësuar si të “rrezikshëm për shtetin”, të cilat strukturat sekrete të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, në rast të ndonjë konflikti të armatosur midis shqiptarëve dhe ushtrisë e policisë maqedone do t’i eleminonin fizikisht në fshehtësi të madhe.’
Edhe pas kthimit të Naserit, në Strugë, aty nga fundi i vitit 1998, e deri në qeshorin e 1999, kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë, kishte vazhduar të jetonte me fatet e saja.
Me inciativën e tij në fshatin Veleshtë do të formohet një këshill lokal për të mbledhur ndihma për luftën çlirimtare në Kosovë; Naser Hani me shokë siguronin kalimet e kryeministrit Hashim Thaçit, edhe pasiqë forcat e Natos ishin future në Kosovë në qeshor të 1999. Ai deri në fillim të vitit 2001, kur kishte filluar lufta në Maqedoni ishte kujdesur vazhdimisht për udhëtimet zyrtare të kryeministrit të Kosovës, zot. Hashim Thaçit, për në Shqipëri, duke kaluar ai nëpër teritorin e Maqedonisë. Ska dyshim se edhe përkujdesja e tillë e Naserit për udhëtimet e Hashim Thaçit dhe politikanëve të tjerë kosovarë nëpër territorin e Maqedonisë, strukturave të caktuara shtetërore maqedone do t’u ketë bërë përshtypje të veçantë.
Në periudhën prill e majë të vitit 1999, Naser Hani është në ndihmë të refugjatëve nga Dardania, të cilët ushtria dhe policia serbe i kishte depërtuar në Maqedoni. Rreth 300 mijë refugjatë ishin vendosur nëpër kampet të cilat shembullonin gati si kampet nazifashiste të viteve të Luftës së Dytë Botërore.
Dhe kuptohet se, hyrjen e trupave të NATO-s më 10 qershor 1999 në Dardani (Kosovë), Naser Hani e kishte pritur si një fitore mbi fashizmin serb, ndërsa Aleancën e Nato-s e kishte krahasuar me Aleancën Antifashiste të Luftës së Dytë Botërore. Një javë pas hyrjes së forcave të Natos në Kosovë, Naseri viziton Prishtinën, prej nga rreth shtatë vitesh ishte larguar pa vullnetin e tij.
Në periudhën 1998-2001, Naser Hani do të drejtoi Qendrën Sociale në Strugë, me ç‘rast do t’u ndihmojë me tërë mundësitë e tija personave në nevojë nga rajoni i Strugës dhe më gjërë.
Pas daljes në skenë të UÇK-së në Maqedoni (në Trevat Lindore Shqiptarë) në fillim të vitit 2001, Naser Hani pa humbur kohë ishte pozicionuar në mbështetje të saj, gjë që ishte e pritur duke pasur parasysh të kaluarën e tij gjatë viteve të qëndresës aktive në Kosovë dhe mbështetjen që ai i kishte dhënë edhe UÇK-së në Kosovë (1999) dhe UÇKPMB-së në Kosovën Lindore. Për të mbështetur luftën e drejtë të UÇK-së në Maqedoni, Naseri ishte dashur ose t’i bashkohej asaj me armë në dorë, ose ta mbështeste atë në prapavijë. Midis alternativave të tilla, ai kishte zgjedhur të fundit (të dytën), prapavijën, jo se i kishte munguar trimëria dhe guximi për të kapur armën në dorë, por sepse ishin rrethanat në Maqedoni ato të cilat e kishin bindur, se ai do të ishte më i dobishëm duke qëndruar në prapavi.
Pas ardhjes, së PPDSH-së dhe Arben Xhaferrit në pushtet, Naseri u rehabilitua dhe nuk ndiqej nga sigurimi i Shtetit, dhe u bë pjesë e angazhimit institucional si drejtr i një dikasteri për të mbuluar veprimet si personi i logjistikës së UÇK-së, së bashku me shokë, si Z. Mendi Qyra, Aki Dika e shumë të tjerë, ku nëpërmjetë shokëve që njihnin nga Kosova, e sidomos Naseri të cilët i njihte, ishin pjesa dërmuese nga LPK-ja. Kjo njohje këtij grupi militantësh do t’u ngarko nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së me logjistikë në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, që përveç grumbullmeve të mjeteve finaciare, të bënin edhe rekrutimin me resurse njerëzore vullnetare për luftë. Kontakti ka qenë i shpeshtë me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së , para dhe gjatë bombardimeve të NATO-s dhe atë drejtpërdrejtë me Z. Jakup Krasniqin, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së si dhe komandantit të SHP-së zot. Azem Sylës. Takimet dhe kontaktet atë botë ishin të nevojshme dhe të domosdoshme edhe për punë të tjera. Për të konstatuar rëndësinë dhe veprimtarinë e Naserit, njëri nga bashkëveprimtarët dhe shoku i ngushtë i tij, zoti Mendi Qyra, do të kujtoi një rast shumë të rëndësishëm që pak është folur. “Kur ishte moment i rëndësishëm për vendosjen se nga do të shkojë Kosova dhe çfarë do të ndodhë në këtë luftë që çdo ditë e më shumë në teren po luftohej në mes forcave të UÇK-së dhe atyre të armikut, duhej vendosur para nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë ishte Komandanti politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, z. Hashim Thaçi. kështu, në periudhën kohore kur z. Thaçi kishte arritur nga Rambujeja për konsultime me faktorët relevant, pot ë njëjtën ditë duhej të takohej me Presidentin Mejdani, paraprakisht u takua me Naser Hanin dhe unë, Mendi Q. si shoqërues. Takimi ndodhi para ish hotel “Nora”, në Tiranë, Takimi gjithsesi ishte miqësor, dhe sygjerimet nga Naseri, ishin që duhej pasur konsensus e komandantët e zonave të luftës. Ne i dëshiruam fat për rrugën e rrezikshme që zot. Thaçi duhej të marrë në zonat e rrezikshme ku do të futej po atë natë për të marrë “aminin” nga zonat e luftës. Nga ky takim, evokon zot. Mendi Qyra, edhe vet kuptova se sa kishte rëndësi ideja dhe personaliteti i Naser Hanit”.
Naser Hani duke qenë anëtar i PDSH-së, ishte i angazhuar që të arrihej marrëveshja midis krahut politik, në radhë të parë midis PDSH-së e cila që nga viti 1998 kishte qenë në kualicion me Partinë VMRO-në dhe krahun ushtarak të shqiptarëve në Maqedoni, në krye të së cilës ka qenë Ali Ahmeti me shokë. Ai do të jetë i angazhuar me mishë e me shpirtë për arritjen e marrëveshjes së tillë sepse kishte qenë i vetëdishëm dhe plotësisht i bindur se mosarritja e marrëveshjes së tillë brenda shqiptarëve në Maqedoni për vetë specifikat në Maqedoni do të ishte shumë e kushtueshme se ndonjë veprim i tillë gjatë luftës në Kosovë dy vite më parë.
Duke qenë në prapavijë të luftës çlirimtare të shqiptarëve në Maqedoni, ai (Naseri) e kishte sqaruar me fakte dhe argument faktorin ndërkombëtar dhe agjensitë e huaja të lajmeve, se shkaqet kryesore pse UÇK-ja i kishte kapur armët për të luftuar, kishte qenë shtypja etnike, padrejtësitë e shumta të ushtruara ndaj shqiptarëve dhe pas pavarsimit të Maqedonisë në vitin 1991 dhe në vitet që pasuan. Duke e prezentuar para të huajve luftën e UÇK-së si Luftë të drejtë, legjitime dhe legale të shqiptarëve në Maqedoni,Naseri u ishte kundërvënë krerëve të institucioneve monoetnik maqedone, të cilët luftën e UÇK-së e paraqitnin para botës si luftë jo legjitime, jo legale dhe terroriste!
Angazhimet e tilla të Naserit në prapavijë të luftës çlirimare të shqiptarëve në Maqedoni, sipas të gjitha gjasave e kishin nevrikosur sidomos resorin e shërbimit secret në Ministrinë e Brendëshme të Maqedonisë, sepse Naser Hani pasi kishte punuar për vite të tëra për të ndodhur luftërat çlirimtare të shqiptarëve në trevat lindore dhe verilindore shqiptare, tani që një luftë e tillë kishte ndodhur edhe në Maqedoni, ai ishte pozicionuar edhe më mjeshtrisht krah interesave shqiptare. Në njërën anë ishte angazhuar për pajtimin e faktorit politik dhe ushtarak të shqiptarëve, kurse në anën tjetër po e demaskonte palën maqedonase para faktorit ndërkombëtar. Për të gjitha këto, krerët e shërbimit sekret maqedone kishin vlerësuar se Naser Hani tanimë e kishte “mbushur kupën” dhe se kishte ardhur koha që kupa e tij të derdhej…!”, pikërisht me atentatin e organizuar të fshehta më 12 qershor të vitit 2001, dy ditë para se të nisnin bisedimet në Ohër dhe për të minuar bisedimet për paqe në Konferencën e Ohrit (14.06.2001).
Shumë vitemë vonë, më 2013, miku dhe bashkëveprimtari i Naserit, Xhevat Hasani, në librin që ia kushton mikut të tij, “Një jetë në shërbim të lirisë”, në mes tjerash shkruan: “… Më 11 qershor në hotel “Ambasadorë” në Strugë do të organizohet “Darka e gabuar e Naser Hanit në të cilën ndeje kanë marrur pjesë shumë persona, për çudi shumica Veleshtarë, bashkëvendas dhe bashkëveprimtarë të Naserit. Do ta quaj “Darkë e gabuar”-sepse ajo ishte e kobshme për të, pasiqë të nesërmen, më 12 qershor (e martë) rreth orës 21:30, Naseri u vra nga disa kriminelë vetëm 100m largë ndërtesës së Policisë në Strugë. Për aktin criminal autori do të ngrejë shumë pykëpyetje:
Pse u organizua ajo “darkë”? Kush e Organizoi? Kush e porositi dhe pagoi? Çka u bisedua asaj darke atë natë? Pse u vra Naser Hani, veprimtar i çështjes kombëtare? Ku u zhduk vetura me ngjyrë të bardhë në të cilën së paku kanë qenë 4 persona, kur dihej se në atë kohë gati në çdo rrugëkryq ishin vendosur punktet policore? Çfarë roli ka pasur udhëheqësi i shërbimeve të DBK-së të Strugës? Çfarë roli ka pasur prokurori i Strugës apo zavendës ministri i Punëve të Brendshme të asaj Kohe? A janë deshifruar (zbardhur) bisedat telefonike para se të kryhet atentati ndaj viktimës? Çfarë është biseduar në takimin e tre veleshtarëve me Ministrin e Punëve të Brendëshme L. Boshkovski në një lokal të komunës së Strugës, disa muaj pas vrasjes? Kush ka qenë një….? Etj. etj.
Nga ana tjetër, si mediat e shkruara në gjuhën shqipe, ashtu edhe agjensitë e lajmeve ndërkombëtare, të cilat kur ishte vrarë Naseri kishin qenë në Maqedoni, kishin shkruar drejtpërdrejt ose tërthorazi se prapa kindapimeve (rrëmbimeve) të dhjetra shqiptarëve dhe të vrasjes së Naserit me atentat, qëndronte Ministria e Punëve të Brendëshme e Maqedonisë.
Vetë biografia politike e Naser Hanit me përndjekje shumëvjeçare, dhe vetë plani i parealizuar i shërbimit sekret maqedon për ta likujduar atë që në vitin 1993 dëshmonte se i njëjti shërbim secret kësaj radhe ia kishte arritur qëlimit. E kishte bërë atentatin mbi Naser Hanin tamam ashtu siç mund ta bëjë institucioni i shtetit, profesionalisht e pa lënë asnjë gjurmë!
Vetë dosja sekrete e Naserit, e hartuar nga shërbimi sekret i Serbisë në Kosovë dhe shërbimi sekret maqedonas brenda viteve 1981-1991, kishte dëshmuar tërthorazi se prapa vrasjes së tij qënronin strukturat sekrete maqedonase në kuadër të Ministrisë së Brendëshme të këtij vendi.
Fakti se gjatë luftës në Maqedoni, edhe para se të kryhet atentati ndaj Naser Hanit më 12.06.2001 ishin rrëmbyer pa lënë asnjë gjurmë rreth 50 civilë shqiptar, si dhe ishin likujduar në fshehtësi dhjetëra të tjerë, fliste qartë se të gjitha rrëmbimet dhe vrasjet e tilla, duke përfshirë këtu edhe vrasjen e Naser Hanit, ishin realizuar gjithnjë nga i njëjti kallëp institucional, në rastin konkret nga resori i policisë sekrete maqedone. Ajo që deri më sot ka mbetur e mistershme dhe e panjohur është identiteti i vrasësve të Naser Hanit. Por, edhe për këtë ka ekzistuar edhe ekziston një dëshmitarë kryesor. Ai është Ljube Boshkovski, ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, i kohës së luftës në këtë vend.
Personalisht nuk besoj se Naser Hani është vrarë nga ana e shqiptarëve, sepse Ministria e Brendëshme e Maqedonisë, për t’i përçarë shqiptarët sa më shumë, këtë do të bënte publike menjëherë pas ekzekutimit të Naserit që me 12 qershor e në ditët që pasuan të vitit 2001.
Atentati ndaj Naser Hanit nga ana e Shërbimit Sekret Maqedonas atë ditë qershor dëshmoi për aktivizimin e planeve të errëta për zgjerimin e konfliktit dhe spastrimin etnik të trevave shqiptare, duke mbyllur kështu çdo rrugë për dialog të mirëfilltë. Pjesëmarrja masive për t’i dhënë lamtumirën e fundit në fshatin e lindjes, në Veleshtë të Strugës, dhembja e madhe që kishte prekur mbarë shqiptarët kudo që jetojnë dhe veprojnë, dëshmoi se me humbjen e tij, humbëm intelektualin e zgjuar vizionar dhe atdhetarin e pashtershëm. Ai tërë jetën eci i papërkulur dhe ëndërroi që shqiptarët një ditë të bëhen të lirë. Ai ishte njeri i dashur dhe njëherit tepër optimist që kamë njohur. Ai ishte i bindur në realizimin e qëllimeve të drejta të popullit shqiptar, çështje për të cilën vuri në funkcion edhe jetën e tij. Si për të gjithë ata që e njohën, ai do të jetë i paharruar, një nga heronjtë e heshtur të dy dekadave të fundit të zhvillimit të çështjes shqiptare në fund të shekullit të kaluar. Ai nuk u kthye asnjëherë në jetë para asnjë presioni. Atë nuk arritëm as ta kindapojnë, sepse një njeri i tillë mund të vritet, por jo edhe të gjunjëzohet. Personaliteti i tij, jeta dhe veprimtaria e tij na obligojnë që edhe dhimbjen e madhe për humbjen e tij në atë ditë qershori të vitit 2001, ta kthenjim një forcë për të ndihmuar popullin shqiptar në Trevat Lindore Etnike në luftën për të drejtat e tyre…
Megjithatë, shanset që atentatorët e Naser Hanit dhe shumë qytetarëve të tjerë që janë vrarë në mënyrë tinzare, të kapen dhe të gjykohen, janë minimale, pasi vrasësit janë vet pjestarët e Shërbimit Sekret Maqedon, është mendimi i shumë qytetarëve shqiptare dhe atëherë, por edhe sot pas më shumë se tre dekada demokraci pluraliste…
I përjetshëm do të jetë kujtimi për këtë veprimtar dhe atdhetar nga Veleshta e Strugëss.
12. 02., 2025, Strugë