Prof. Dr. Petrit Pollozhani: Mosftesa e Besnik Asanit nga TV21 është skandal që dëmton demokracinë!

Një reagim i ashpër publik vjen nga profesori dhe akademiku i njohur Prof. Dr. Petrit Pollozhani, pas mosftesës së kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Strugës, z. Besnik Asani, në debatin e zhvilluar para dy ditësh në televizionin TV21.
Në këtë debat morën pjesë vetëm dy kandidatë: Mr. Mendi Qyra, i mbështetur nga koalicioni “Vlen”, dhe Dr. Arsim Dalipi, kandidat i AKI-së. Ata prezantuan programet e tyre për zhvillimin e Strugës në katër vitet e ardhshme.
Por mungesa e kandidatit të pavarur Besnik Asani, që sipas sondazheve gëzon përkrahje të gjerë në elektorat, ngjalli reagime të forta.
“Padrejtësi e qëllimshme dhe shkelje e Kodit Zgjedhor”
Prof. Pollozhani, i cili ndoqi emisionin, shprehet i habitur dhe i indinjuar nga mungesa e Asanit në debat. Ai tregon se ka kontaktuar vetë me kandidatin për të kuptuar arsyen e mosprezencës.
“Besniku më tha se kishte dëshirë dhe gatishmëri të merrte pjesë, por nuk mori ftesë. Aty kuptova se padrejtësia ishte e qëllimshme. Ky është skandal me pasoja të pariparueshme për procesin demokratik”, – thekson Prof. Pollozhani.
Ai shton se TV21 ka vepruar në kundërshtim të plotë me Kodin Zgjedhor, i cili përcakton barazinë dhe trajtimin e paanshëm të subjekteve zgjedhore, si dhe ndalon çdo formë favorizimi.
“Ky është dëm ndaj Strugës dhe demokracisë”
Në reagimin e tij, Pollozhani thekson se mosftesa e Asanit dëmton jo vetëm kandidatin, por edhe vetë qytetarët e Strugës:
“Elektoratit strugan i nevojitet konkurrencë e mirëfilltë, sepse vetëm përmes saj mund të arrihen ndryshime pozitive. Mungesa e debatit të barabartë është dëm për qytetin dhe demokracinë.”
Ai ngre pyetje të drejtpërdrejta për arsyet që qëndrojnë pas vendimit të TV21:
“Kush ndikoi në këtë vendim? Mos vallë u konvenon partive në pushtet? Apo ndoshta i tremben një kandidati të pavarur që fiton besim me program profesional e bindës?”
“Media duhet të jetë e lirë, jo nën ndikim”
Profesori kujton se institucionet mediatike kanë detyrim ligjor dhe moral të jenë të pavarura:
“Kur bëhet fjalë për shprehjen e lirë, një televizion nuk duhet të pyesë askënd. Media që ndikohet politikisht nuk i shërben publikut, por interesave të ngushta të partive.”
“Struga ka nevojë për debat, jo për censurë”
Në fund, Pollozhani apelon që të gjithë kandidatët për kryetar komune të përballen publikisht në debate të hapura:
“Kështu veprojnë shoqëritë e civilizuara, kështu kërkon edhe Bashkimi Evropian. Struga meriton transparencë dhe garë të ndershme. Mungesa e konkurrencës ka sjellë korrupsion, nepotizëm dhe emigrim masiv.”
