
Kush e do më shumë Strugën?
nga Premtim Dema

Si strugan, më vjen mirë që qyteti ynë sot ka dy alternativa.
Nga njëra anë, një kandidat i pavarur, i përkrahur nga e djathta (VLEN-VMRO) dhe nga bizneset strugane në vend e diasporë. Nga ana tjetër, një kandidat që vjen nga ish-partitë e pushtetit, që kanë udhëhequr mbi 20 vite, si dhe nga e majta ekstreme pro-ruse LEVICA. Një kandidat i mirë si individ dhe profesionist, por sipas mendimit tim, në kostumin politik të gabuar.
Tani është radha e popullit të vlerësojë nëse vlen më shumë retorika nacionaliste që ka zgjedhur AKI para struganëve, apo marrëveshjet që bëhen nën hije me LEVICËN. Bashkëpunimi mes tyre është konfirmuar edhe nga vetë Apasiev. Nuk ka asgjë të keqe – politika kështu funksionon – por është mirë që të dy palët t’i kthehen halleve të vërteta të struganëve dhe etjen për pushtet t’ia lënë pas zgjedhjeve.
Qytetarët struganë, në vend e jashtë, presin zgjidhje konkrete – maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, romë apo egjiptianë – të gjithë janë struganë dhe duan një qytet që funksionon më mirë.
• Uji i pijshëm: Struga është rajoni më i pasur me resurse ujore në Maqedoni, por vetë struganët nuk kanë ujë për pije. Ndërmarrja publike është kthyer në vatër punësimesh partiake nga koalicioni AKI. Menaxhimi i dobët prej dekadash, me ndikim të BDI-së dhe pjesës së mbetur të ASH-së, ka sjellë mungesë të shërbimeve bazë.
• Kanalizimi: Sipas organizatave ndërkombëtare, projektet janë bërë disa herë, por asnjëherë s’janë vënë në funksion. Mjetet publike janë shpërdoruar, ndërsa kompania mban borxh prej 3.5 milionë eurosh – që në fund e paguajnë struganët.
• Mbeturinat: Mali i mbeturinave në hyrje të qytetit është turp për një destinacion turistik si Struga.
• Ndriçimi publik: Duhet pyetur kush e dha për herë të parë tenderin dhe kush e vazhdoi – e mbi të gjitha, kush përfitoi.
Këto janë tri shembuj të thjeshtë që çdo qytetari duhet t’i kujtojnë se problemi i Strugës nuk është nacionalizmi, por keqmenaxhimi.
Nuk dua të ndalem te shkollat dhe mirëqenia, megjithëse ministri përkatës ka qenë nga Struga. Por pyetja mbetet: ku kanë shkuar buxhetet e librave dhe derivateve?
Më vjen keq që pas një kandidati të pastër si individ, qëndron një strukturë e vjetër, që e ka dëmtuar Strugën për vite me radhë dhe sot, me marrëveshje të fshehta me Apasievin, rrezikon ta dëmtojë edhe më shumë – vetëm për pak pushtet.
Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk i duhet retorikë nacionaliste, por progres dhe zhvillim ekonomik e shoqëror.
Bashkëqytetarët e mi, zgjidhni më të mirin për Strugën – atë që ka kapacitet, vizion dhe vullnet për ta ndryshuar Strugën.


