Premtim Dema: Kur despotët e partive ndihen të humbur, ata nuk kërkojnë reflektim, por fillojnë me shantazhe dhe kërcënime!

0
165

Nga Premtim Dema

Kur despotët e partive ndihen të humbur, ata nuk kërkojnë reflektim, por fillojnë me shantazhe dhe kërcënime!

Të gjithë flasin për profilet e rreme në rrjetet sociale, por askush nuk flet kur vetë kryetarët e partive – njerëzit që duhet të jenë shembull i demokracisë – kërcënojnë qytetarë e aktivistë drejtpërdrejt, përmes WhatsApp-it, Viber-it apo SMS-ve.
Këto nuk janë shpifje, por fakte që tregojnë fytyrën e vërtetë të frikës dhe arrogancës politike.

A është kjo demokracia që duam?
Çfarë mesazhi japin këta “liderë”?
A janë këta njerëzit që do ta çojnë vendin drejt perspektivës europiane, apo janë pasardhësit e despotëve të vjetër, të etur për pushtet, të ngjashëm me pashallarët, Enver Hoxhën apo Stalinin?

Më trondit fakti që askush nuk flet hapur për këtë realitet.
Si është e mundur që kërcënimet, shantazhet, dhuna dhe ngacmimet nga këta njerëz të mbeten pa ndëshkim?
Ku janë organizatat joqeveritare, shoqëria civile, intelektualët?
Pse heshtim, nga frika apo turpi?
Apo sepse mendojnë se të gjithë do të heshtin përballë tyre?

Edhe Hitleri, kur po humbiste Berlinin, besonte se do të fitonte, dhe me fanatizëm kërkonte të frikësonte ata që e kishin braktisur. Historia tregoi se rruga e frikës përfundon në dështim dhe shkatërrim.

Ky shkrim është për të gjithë ata që sot ndihen të kërcënuar apo të shantazhuar.
Mos kini frikë! Nuk jeni vetëm.
Drejtësia ekziston, edhe në Maqedoninë e Veriut.
Ajo do të arrijë edhe tek despotët që mendojnë se janë të paprekshëm, sepse askush nuk është mbi ligjin dhe mbi popullin.

Premtim Dema