Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, i ftuar i edicionit të mbrëmjes në SYRI TV, komentoi situatën e fundit të koronavirusit. I pyetur nga gazetarja Juli Krisafi nëse virusi është dobësuar, ai tha se nuk e thotë dot diçka të tillë.
“Nuk e themi dot që virusi është dobësuar. Kjo duhet matur. Klinikisht nuk shoh ndonjë ndryshim. Nuk kam kurajo profesionale ta them këtë. Por për rastit të ekspozimit të shtuar, moshat e infektuara janë më të vogla. Agresiviteti i sëmundjes nuk është pakësuar.
Dua të këshilloj edhe kolegët e mi që të mos pyesin dhe të mos merren nëse është agresiv apo jo virusi, pësoi apo nuk pësoi mutacion, por të edukojnë veten për t’u mbrojtur maksimalisht. Është detyrë primare që të mbrohemi dhe të tregojmë kujdes maksimal,” tha Pipero.
Megjithatë, ai shtoi se nga fusha e prodhimit të vaksinës ka lajme të mira. Sipas tij, “bota për një vit ose një vit e gjysmë do çlirohet nga kjo pandemi”.
Pipero tha se virusi tregoi gjatë verës se nuk është i ndjeshëm ndaj temperaturës, por tha se nga hemisfera jugore kanë ardhur lajme të mira.
“Në hemisferën jugore gjatë dimrit, qarkullimi i viruseve stinore ka qenë shumë i ulët. Siç duket, masat e marra për koronavirusin parandalojnë edhe gripin stinor. Shpresoj që edhe te ne, qarkullimi i viruseve do mbetet i ulët. Grupet e rrezikuara duhet të vaksinohen me përparësi,” tha Pipero.