Rrugët janë bosh, as zogjtë nuk cicërojnë më si më parë, nuk ka më as tym makinash, nuk ka më as zhurmë, në fakt nuk ka më jetë! Duket si të ishte një film horror!
Duket si të ishte fundi i botës dhe të gjithë janë ulur dhe po numërojnë minutat e fundit nga frika që i ka kapluar.
Çdo gjë është e shkretë, të gjithë janë izoluar në shtëpi larg gjithçkaje, larg çdo gjëje që i lidh me jetën e tyre të përditshme.
Një tragjedi e cila do të na shoqërojë gjithë jetën, duke kujtuar shifrat e frikshme, viktimat, dhimbjen dhe lotët e shumë familjeve dhe qytetarëve në mbarë botën.
Një pandemi, e cila na bëri të mbyllemi brenda, të vetëizolohemi, derisa kjo situatë të marrë fund.
Por, kur do t’i vij fundi? Kur do të marrim frymë lirisht pa menduar se kemi një problem me mushkëritë tona dhe jemi infektuar nga virusi vdekjeprurës? Kur do të kollitemi të qetë pa menduar se ai, virusi, ka sulmuar shëndetin tonë? A do të ketë ndonjëherë fund ky makth?
Një makth me të cilin zgjohemi, na ndjek në ditën tonë dhe shtrihemi të flemë sërish me të. Është kudo, është në çdo mendim, në çdo vend, në çdo cep në të cilin ne kthejmë kokën.
Si mund ta luftojmë këtë zjarr? Kur do të vijë koha që do përqafojmë të dashuritë tanë? Kam frikë të afrohem e ti puth …
Frikë dhe ankth, do të ishte përshkrimi më i mirë i gjendjes shpirtërore dhe psikologjikë të shumë njerëzve në mbarë botën.
Frikë se njerëzve që i duam më shumë në këtë botë do t’i ndodhë diçka. Frikë se paraardhësëve tanë, ata të cilët na kanë rritur, gjyshërit, do të preken nga kjo luftë dhe nuk do ta fitojnë dot betejën.
Frikë se ata që na kanë sjellë në jetë mund t’a përjetojnë keq, frikë se do të ketë pasojë, pasoja të cilat nuk do ti kapërcejmë dot kurrë.
Askush nuk është i pathyeshëm nga ai, virusi vdekjeprurës, që ka marrë jetën e mijëra të pafajshmëve dhe “zotohet” se do të marrë akoma të tjerë!
Për ty Covid-19: “Mjaft, jepi fund një herë e mirë lotëve dhe dhimbjeve!” / E.SH. T.CH