Gjendja e sigurisë në rajonin e Komunës së Studeniçanit është shqyrtuar në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të Këshillit të komunës, në të cilën të pranishëm ishin kryetari i komunës Azem Sadiki, drejtori i Byrosë për siguri publike Sasho Tasevski së bashku me ndihmësdrejtorin Shefik Bajrami, si dhe komandanti i SP Draçevë, Mile Trifunovski. Nga MPB informojnë se gjendja e sigurisë në rajonin e kësaj komune është vlerësuar si stabile me tendencë drejt përmirësimit.
Nga Ministria potencojnë se vëmendje e veçantë ishte përkushtuar në të shtënat me armë zjarri në ahengjet familjare dhe masat për parandalim të kësaj dukurie.
Këshilli i Komunës së Studeniçanit, kryetari i komunës dhe Ministria e Punëve të Brendshme u bëjnë thirrje qytetarëve të përmbahen nga të shtënat me armë në ahengjet familjare, sepse, mund të shkaktojë pasoja të rënda.
“Të shtënat janë në kundërshtim me Ligjin për shkelje kundër rendit dhe qetësisë publike, ndërsa gjoba në para për llojin e tillë të shkeljes lëviz prej 200 deri në 500 euro (neni 31). Në varësi të pasojave, gjuajtja mund të paraqesë edhe vepër penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, për të cilën është parashikuar edhe dënim me burg prej një deri në pesë vjet (neni 288 i Kodit Penal), potencojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe paralajmërojnë se aktivitetet e tilla në ditët në vijim do të vazhdojnë edhe në komunat tjera.