FIFA ka dhënë vendimin, pas shumë polemikave qe krijoi gjesti i shqiponjës me duart nga dy futbollistët kosovarë, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka pas golave që shënuan për Zvicrën ndaj Serbisë.
Xhaka dhe Shaqiri dënohen me 10 mijë franga zviceriane. Ndërkohë që futbollisti zviceran Lichtsteiner është dënuar me 5 mijë franga.
Por fakti se FIFA nuk ka marrë vendim për të ndëshkuar Xhakën e Shaqirin duke i përjashtuar që të mos luajnë ka shkaktuar hidhërim tek mediat serbe.
Novosti madje ka vendosur një titull ku shkruajnë se FIFA i ka ndihmuar shqiptarët.
“FIFA iu ndihmon. Shaqiri e Xhaka vetëm gjobiten për provikimin ndaj Serbisë”, thotë Novosti.
Lajmi është shpërndarë edhe nga Telegrafi serb ku gjoba për dy shqiptarët u duket si dënim i lehtë.
Akuza ndaj FIFA-s kanë pasur edhe mediat tjera serbe se është gjoja në krah të shqiptarëve.
Kujtojmë që përveç dënimit me të holla të Xhakës, Shaqirit por dhe Lichtsteiner, edhe Federata e Futbollit Serb është dënuar me 54 mijë CHF dhe tërheqje të vërejtjes për shkak të shfaqjes së flamujve me mesazhe diskriminuese dhe hedhje të objekteve në fushë nga ana e tifozëve serbë.
Kryetari i Federatës së Serbisë, Slavisa Kokeza dhe selektori Mladen Krstajic për shkak të shkeljes së kodit disiplinor, gjegjësisht dhënies së deklaratave në kundërshtim me këtë kod, dënohet me nga 5 mijë CHF dhe vërejtje publik.
(B.H/Faxweb)