Përdorimi i internetit dhe teknologjisë në kohët moderne gjenë një përhapje të gjerë në gjithë botën. Pajisjet e reja të teknologjisë, janë joshëse për të gjithë, përfshirë edhe fëmijët dhe të rinjtë. Por, ekspertët, tërheqin vërejtjen se ekspozimi i gjatë para ekranit, qoftë të një telefoni, kompjuteri apo televizori, mund të bartë pasoja për shëndetin e fëmijëve.
Ekspozimi i tepërt i fëmijëve ndaj mjeteve teknologjike, ka qenë temë debati edhe në shumë vende, ku janë ngritur shqetësime për efektet negative që ka në raport me shëndetin e fëmijëve.
Oftalmologu Afrim Shabani, i tha Radios Evropa e Lirë se numri i fëmijëve që vizitojnë oftalmologun është në rritje. Megjithatë, ai potencon faktin se qëndrimi i gjatë para ekraneve, rrit dioptrinë dhe mund të jetë një prej shkaktarëve që ndikon në shfaqjen e dioptrisë.
“Ndonjë vlerësim të saktë nuk e kemi, mirëpo atë çka mund të them është se vetëdijesimi i prindërve është rritur dhe i sjellin te oftalmologu fëmijët. Numri i fëmijëve që vijnë për kontroll për sytë është rritur dukshëm”, tha ai.
“Ne e dimë që teknologjia dhe qëndrimi para ekraneve ndikon në rritjen e dioptrisë, por nuk është shkaktari kryesor në paraqitjen e dioptrisë. Gjithsesi në gjithë këtë ka ndikuar edhe kontrolli sistematik në shkolla, pasi shumë fëmijë na vijnë me rekomandime të mjekut të përgjithshëm”, tha Shabani.
Besnik Peci, psikolog, bëri të ditur se përveç dëmtimeve në shikim, qëndrimi i tepërt para ekraneve ndikon në largimin e botës reale dhe sociale tek fëmijët.
“Sa i përket ekspozimit të fëmijëve para ekraneve në Kosovë, kohëve të fundit është dukuri në rritje dhe fakt shqetësues. Preferohet që prindërit të provojnë maksimalisht të monitorojnë këtë proces, pasi që nuk dëmtohen vetëm shikimin, por edhe fëmijët e zhvillojnë ndjenjën e individualitetit, e krijojnë botën e tyre imagjinare dhe i largohen botës reale dhe sociale”, tha Peci.
Tutje, Peci shton se po që se teknologjia përdoret nga fëmijët në mënyrë të drejtë dhe të kontrolluar, ajo ka efekte pozitive.
“Mjetet elektroteknike me të cilat fëmijët kalojnë kohën, kanë karakter edhe edukativ, por nëse fëmijët u ekspozohen për një kohë të gjatë, ekziston rreziku i dëmtimeve të shumta, si probleme me koncentrimin, dëmtime fizike, reduktimit të socializmit e të tjera”, tha Peci.
Prindërit thonë se fëmijët sot po kalojnë shumë kohë të ekspozuar ndaj ekraneve, qoftë TV, telefona të mençur, Ipad apo ndonjë pajisje tjetër elektronike.
Benjamin Lama, një prind i një vajze 9 vjeçare, thotë se është i vetëdijshëm që qëndrimi për kohë të gjatë dhe të pakontrolluar me këto pajisje nuk ka se si të mos jetë i dëmshëm, përfshi edhe dëmtimin e syve.
“Sigurisht se qëndrimi gjatë para ekraneve ndikon negativisht në shikimin e fëmijëve. Ajo vërehet tek fëmijët të cilët mendoj se çdo i dyti bartë syze. Në klasë të vajzës sime nga 30 nxënës sa i ka klasa, rreth 20 fëmijë janë me syze dhe kjo flet vetë”.
“Mendoj se tjetër problem janë lojërat si dhe filmat e ndryshëm për fëmijë të cilat tash nuk janë edhe shumë të kontrolluara dhe gjithashtu joadekuate për moshat e caktuara, të cilët fëmijët nuk i zgjedhin, por i shohin, nëse nuk kanë kontroll”, tha ai.
Sidoqoftë, ritmi i shpejtë i zhvillimit të teknologjisë dhe mënyra në të cilën të rinjtë janë aftësuar për përdorimin e kësaj teknologjie vazhdojnë të sfidojnë edhe sigurinë e fëmijëve në internet./REL